Faik Konitza

Bibliographie

Liens

Mesazhe domethënëse për të ardhmen e Shqipërisë në BE

Publié par Gazeta 55
 

20-10-2012 / Nga Eden Babani

Takim në Parlamentin e Europës, në Bruksel

Ditën që Shoqata “Konitza” kishte lajmëruar takimin me eurodeputetët Eduard Kukan e Tanja Fajon në mjediset Parlamentit Europian, nja dhjetë a pesëmbëdhjetë njerëz, mbështetës së Aleancës Kuqezi (s’di në ishin të gjithë shqiptarë, meqë, sipas fotos njëri ngjan të jetë afrikan!), protestonin përpara selisë së Këshillit të Europës, në Place Schuman, duke vënë si kusht largimin e Kryeministrit Berisha, pa të pranohet Shqipëria në BE. Kam shkruar “shkurt e thjesht” për këtë ngjarje sa qesharake, aq edhe të rrezikshme për imazhin e diasporës shqiptare në Belgjikë, ndaj s’do të zgjatem. Shtoj vetëm se nuk e dija (nuk e di ende) nëse kishin dijeni mjeranët protestues për takimin që do të mbahej atë pasdite në mjediset e PE-së, apo ishin mbledhur ashtu, kuturu dhe rastësisht, siç ndodh rëndom me njerëz që shkojnë pas berihajt. Ndaj, të them të drejtën, pata drojën se mos përvidheshin e bënin ndonjë proçkë gjatë takimit. Sharlatanët janë në gjendje të bëjnë gjithçka, të përvetësojnë edhe veprimtari me interes mbarë kombëtar, siç ka përvetësuar Kreshnik Spahiu, fjala vjen, grevën e urisë të ca ish të përndjekurve politikë. Për fat, kujdesi i dyanshëm i organizatorëve (“Konitza” – administrata e PE-së), bëri që takimi ynë të zhvillohej me dinjitet, siç ishte parashikuar.
Kështu që, të mërkurën e shkuar, patën rastin e lumtur të uleshin mbi njëqind e ca bashkatdhetarë në hemiciklin e njërës prej sallave të asaj ndërtese madhështore që simbolizon Europën e Bashjuar. Ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e ambasadave e të misioneve tona në Bruksel. Presidenti i Shoqatës “Konitza”, zoti Genti Metaj, falënderoi autoritetet e PE-së, veçanërisht zotin Kukan dhe zonjë Fajon, të cilët mundësuan takimin. “I pari i këtij lloji në historikun e bashkësisë sonë, vuri në dukje zoti Metaj, takimi na mbush me gëzim jo vetëm se përkon me festimet për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë, por sepse zhvillohet fill pasi KE-ja ka rekomanduar statusin e Shqipërisë si kandidate për në BE, çka për ne, shqiptarët, është një mesazh i shumanshëm mirëkuptimi e mbështetjeje”. Sipas zotit Metaj, kapërcimi tashmë i disa pengesave të mbetura për shkak të zhvillimeve politike, është imperativ i kohës. Në këtë kuptim, “përgjegjësitë tona qytetare marrin domethënie thelbësore, tha ai, pasi, si përfaqësues të vlerave shqiptare në diasporë, të cilat i kemi trashëguar historikisht, ne jemi në udhëkryqin ku kalojnë mesazhet e vendeve të BE-së ndaj Shqipërisë e Kosovës e anasjelltas”.
Zoti Eduard Kukan përshëndeti në gjuhën shqipe: “Mirëmbrëma dhe gëzuar 100-vjetorin!”, çka u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të zgjatura të të pranishmëve. “Jam i lumtur, tha ai, që ju shoh kaq shumë dhe kaq të bashkuar e të vendosur për të demonstruar vlerat tuaja në këtë 100-vjetor të Pavarësisë”. Eurodeputeti theksoi se diaspora shqiptare e Europës Perëndimore, veçanërisht e Belgjikës, ka një rol të rëndësishëm për promovimin e ëndrrës europiane të shqiptarëve. “Motivimi juaj, theksoi ai, vërehet qartësisht me rastin e këtij takimi”. Në vijim, zoti Kukan vuri në dukje përpjekjet e veta dhe të kolegëve në organizmat e BE-së, për të mbështetur integrimin e Shqipërisë. “Jam i lumtur për reformat e arritura deri tashti, por mbetet ende rrugë për të përfunduar procedurat, tha ai”. Në përfundim të fjalës së vet, zoti Kukan dha një sinjal të qartë, duke iu drejtua të pranishmëve sërish në gjuhën shqipe: “Edhe njëherë, mirë se keni ardhur në PE”.
Zonja Tanja Fajon, sikurse kolegu i saj parafolës, i përshëndeti të pranishmit në gjuhën shqipe: “Mirë se vini!” Edhe ajo, sikurse parafolësi, tha se ishte e gëzuar dhe e lumtur që shihte një sallë të mbushur ma aq shumë shqiptarë të motivuar për integrimin. Sipas Tanja Fajon, Shqipëria është, tashmë, një yll i ri i marrëdhënieve mes popujve të Ballkanit. “Përpjekjet e pareshtura 100-vjeçare të popullit tuaj, vuri në dukje eurodeputetja, sollën rilindjen shqiptare që po përjetojmë”. Si ballkanase, zonja Fajon tha se Shqipëria dhe shqiptarët kanë një vend të veçantë në zemrën e saj dhe se ndihet e lumtur që ka pasur fatin e madh të ketë bërë aq sa ka mundur për ta, qysh nga heqja e vizave dhe qarkullimi i lirë në zonën Shenghen, deri te projekt-raporti i fundit.
Zonja Mimoza Halimi, Ambasadore e Shqipërisë pranë BE-së, pasi falënderoi organizatorët e takimit, vuri në dukje pjesëmarrjen e madhe dhe cilësore të të pranishmëve, të cilët, sipas saj, “kanë marrë me vete dhe kanë sjellë në mjediset e PE-së ëndrrën e kahershme të integrimit në vlerat e kulturave perëndimore”. Me atë rast, ajo solli në kujtesë Çmimin Nobel për Paqen, akorduar kohët e fundit BE-së, e cila, për më se 60 vjet pandërprere, ka kontribuar pa pra në rivendosjen e mirëkuptimit, të miqësisë e të paqes në Europë. Në këtë kontekst, zonja Halimi tha se ndihet krenare dhe e lumturuar që bashkëkombësit e saj janë të motivuar plotësisht për të qenë anëtarë të këtij mekanizmi të stërmadh paqësor.
Një ndërhyrje të shkurtër bëri eurodeputeti Libor Rouçek, ish raportues për Shqipërinë në PE. Së pari, ai uroi që pjesëtarët e diasporës shqiptare të Belgjikës të bëhen sa më të njohur e të jenë sa më publikë në jetën aktive të vendit mikpritës, ku jetojnë. Kjo, sipas tij, do t’i shërbente thyerjes së disa paragjykimeve për shqiptarët, që, për fat të keq, kanë hedhur rrënjë edhe në ndonjë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. “Shqipëria është një vend i bukur e i begatë, theksoi zot Rouçek. Shqiptarët janë njerëz punëtorë e të aftë.” Eurodeputeti shprehu bindjen se pranimi i Shqipërisë në BE do t’i sjellë bashkësisë vlera të reja, do të bëjë të harrohet shija e hidhur që la pranimi i disa vendeve të Ballkanit, çka krijoi një farë zhgënjimi mes vendeve anëtare, i cili duhet fshirë sa më parë nga kujtesa. “Ju keni mjaft miq në BE, përfundoi ai. Megjithatë, barra për të kapërcyer pengesat e për të përshpejtuar procedurat e integrimit të plotë, u mbetet juve dhe politikanëve tuaj. Madje, ju dhe ata, duhet të jeni të ndërgjegjësuar se, pas hapjes së negociatave, rruga do të jetë edhe më e vështirë“.
Në përfundim, u hap një seancë pyetjesh, pse jo, edhe debatesh. Pati vetëm një pyetje, ma thotë mendja patëkeq, por që, gjithsesi, duhej formuluar ndryshe, nëmos po nuk duhej bërë fare. Pyetja e vajzës me emrin Teutë, lidhej në thelb me çka do të ndodhte nëse nuk do të arriheshin dy-tri kushtet e fundit, deri në dhjetor. Zoti Kukan tha se, në vend të saj, nuk do ta kishte bërë atë lloj pyetjeje. Më e mira do të ishte t’ia drejtonte vetes dhe, njëherësh, politikanëve të Shqipërisë.
Megjithatë, duke shmangur pyetjen e Teutës dhe përgjigjen e eurodeputetit, unë pyes: A ka bir nëne ta blerë dot mendjen e Edi Ramës? Kushedi çka i bie ndërmend të kurdisë pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së “me dyer të mbyllura”!... Sepse, thikat, zakonisht me një presë, opozita jonë e majtë i parapëlqen me dy presa. Edhe nëmos qofshin ashtu, ua gjen ajo çarenë, i mpreh e i lëmon paq, që të presin nga të dy  krahët.

Agenda

L'association en images

56161632_2440173376007556_1487410357868691456_o.jpg

Archives