Aurel Plasari ka thënë për Konicën : “Që në kolegj e quanin « filozofi », letërsia dhe historia e interesonin në të njëjtën masë, gjuhësia, filologjia, muzika, politika, antropologjia kulturore, arkeologjia nuk e interesonin më pak.”
Ai e bëri revistën ALBANIA tribunë të gjuhës shqipe. Fan Noli, një tjetër figurë kombëtare e të njëjtës lartësi, e cilëson Konicën si lëvronjës të hollë të gjuhës shqipe.
Si revistë politike, kulturore dhe letrare, AlLBANIA ka luajtur një rol thelbësor midis të gjitha organeve të tjera të shtypit të Rilindjes kombëtare shqipëtare dhe kjo për dy arsye :
Së pari, ajo ka pasuruar kulturën kombëtare shqipëtare në saj të publikimit të shumë shkrimeve letrare, gjuhësore, historike, folklorike dhe enciklopedike.
Së dyti ajo ka kontribuar veçanërisht në lëvrimin e gjuhës shqipe duke filluar në radhë të parë me njësimin e alfabetit të saj. Të mos të harrojmë se në atë kohë kur botimet ishin shumë të pakta, organet e shtypit ishin tribunat kryesore të mendimit politik e shoqëror shqipëtar.
Konica ka meritën e madhe historike se zgjodhi e mbështeti alfabetin e propozuar nga shoqëria Bashkimi1, themeluar më 1899 nga abati i Mirditës, Preng Doçi, alfabet i cili shkruhej me shkronja latine. Revista ALBANIA përdori të njëjtin alfabet si ai i shoqërisë Bashkimi, me përjashtimin e 2-3 shkronjave. Duke përdorur këtë alfabet, Faik Konica botoi revistën ALBANIA për 12 vjet me radhë.
Rexhep Qosja e konsideron themelimin e shoqërisë Bashkimi në Shkodër si një ngjarje madhore në kulturën kombëtare shqipëtare (fund i citimit). Revista ALBANIA ka kontribuar në përforcimin e kësaj arritje të shquar.
Profesor Mahir Domi ka thënë « ALBANIA i ka bërë një shërbim të madh shoqërisë "Bashkimi". Mirëpo dhe ALBANIA është ndihmuar nga "Bashkimi" sepse anëtarët e shoqatës "Bashkimi" si Gurakuqi, Nikaj, Fishta, Gjeçovi, Shiroka, Velaj, etj. kanë botuar shkrimet e tyre në faqet e "Albanias". Anëtarët e "Albanias", me Konicën ne krye, kanë përkrahur alfabetin latin të "Bashkimit" si kundërpeshë të alfabetit të Stambollit…, deri në Kongresin e Manastirit2. Kështu bashkëpunimi qe i ndërsjelltë. »
Në një letër që Faik Konica i dërgonte Shtjefen Gjeçovit, i shkruante midis të tjerave : « Mundësisht pra të jepet za t'emzot Prend Doçit se me gjithë kundërshtimet e pa arsyeshme, puna e tij qe shumë e mirë. Shoqëria që themeloi me bashkëpunëtorët e tij do të zërë vendin e parë në listën e bashkimit të gjuhës e kombësisë shqipe. »
Në një letër tjetër që Faik Konica i shkruante Sotir Peci, ai thoshte : « Po një nga ato alfabete, një i vetëm u njoh, … Kjo abe e çuditëshme është e "Bashkimit"… Burrat me atdhesi e kuptojnë se çështja e abe-së është kombëtare, politike e më parë se gjithçka praktike… I vetmi alfabet që u njoh jashtë qarkut të ngushtë të disa toskëve dhe u pëlqye prej çdo farë qëndrash, është ai i "Bashkimit". Më i përhapuri, më praktik, më i pëlqyeri se çdo tjetër është alfabeti i „Bashkimit“.
Revista ALBANIA e Faik Konicës në Bruksel, fletorja "Kombi" e Sotir Pecit në Amerikë dhe gazeta "Shqipëtari" e Bukureshtit në Rumani përdorën të njëjtin alfabet duke hedhur kështu bazat e alfabetit të vetëm të gjuhës shqipe. Nuk është e tepërt këtu të kujtojmë kontekstin e kohës.
Gjatë dekadës së fundit të shekullit të XIX dhe dekadës së parë të shekullit XX, rilindasit shqipëtarë i kushtuan një rëndësi të veçantë pastrimit dhe pasurimit të fjalorit të gjuhës shqipe. Shumë fjalë të reja u krijuan duke u bazuar në burimet e brendëshme te fjalëformimit të gjuhës shqipe. Të gjithë intelektualët shqipëtarë ishin të ndërgjegjshëm për faktin se gjuha shqipe, si një faktor përcaktues i një kombi, duhej të forconte njësimin dhe afirmimin kombëtar të popullit shqipëtar. Kjo ishte etapa përgatitore e domosdoshme që do t’i paraprinte pavarësisë së vendit që po shfaqej në horizont.
Në plejadën e intelektualëve shqipëtarë të Rilindjes kombëtare, vërejmë dy kategori të mëdha : ata që ishin të formuar në gjuhën dhe qytetërimin lindor dhe ata që ishin të brumosur me kulturën perëndimore. Faik Konica bën pjesë tek kjo kategoria e dytë. Për më tepër, ai ishte më perëndimori nga të gjithë intelektualët shqipëtarë të asaj kohe me bindje thellësisht evropiane. Me veprën e tij të gjithanëshme, ai ka peshuar rëndë në orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Duke mësuar në shkollat e ndryshme që ndoqi e më pas greqishten e vjetër e moderne, latinishten, turqishten, frëngjishten, anglishten, gjermanishten, spanjishten, italishten, duke qënë i pasionuar nga mësimi i gjuhëve të vjetra si sanskrishtja, hinduja, hebraishtja, etj. ai ishte një poliglot i shquar dhe kishte profilin e shkëlqyer të nje gjuhëtari autodidakt.
Ashtu siç thotë Apolineri, "Ai i dha shumë jetë lëvizjes shqipëruese3; duke e pastruar gjuhën shqipe nga termat e papastër ose parazitë që ishin futur në të, ai e shndërroi, në pak vite, nga një dialekt mejhanesh në një gjuhë të bukur, të pasur et të zhdërvjellët."
Luan Starova, shkrimtar e diplomat shqipëtar nga Maqedonia, në librin e tij "Faik Konitza et Guillaume Apollinaire. Une amitié européenne" thotë në parathënien e tij se "Shqipëtari4 i shpërngulur e bëri gjuhën frënge gjuhën e tij të punës, gjë që i dha mundësi të shprehej lirisht. Mbi modelin e frëngjishtes, ai hodhi bazat e një gjuhe shqipëtare të pavarur dhe të njësuar, e pajisur me nje alfabet përfundimtar të aftë për të nxjerrë në dritë një letërsi të vërtetë".
Konica propozoi një reformë për gjuhën shqipe për ta pastruar atë nga fjalë të huaja dhe parazite.
Ja bazat e reformës5 se tij : "Le të marrim gjuhën shqipe, e lënë djerr që nga formimi i saj, e varfër, e zhveshur nga termat abstrakte, e aftë sigurisht për të shprehur ndjenja, edhe nga ato më të koklavitura, por e paaftë për të diskutaur ide, edhe nga ato më të thjeshtat, ta shkrifërosh, ta zhdërvjelltësosh, ta pasurosh, për të bërë një gjuhë letrare e ideore, ta futësh në rrugën e zhvillimit dhe të përpunimit duke i dhënë një jetë të re ».
U desh që të trajtoheshin probleme të tilla si alfabeti, drejtëshkrimi, baza shkencore e neologjizmave ose më tej shkrirja e dialekteve të ndryshme të vendit.
Konica është vlerësuar si krijuesi i prozës moderne në Shqipëri. Fan Noli, e cilëson Konicën si mjeshtër të skalitur të prozës shqipëtare. Konica mori humorin nga gjuha e Shekspirit dhe satirën nga gjuha e Molierit. Breza shkrimtarësh pas tij u frymëzuan nga vepra e tij.
Ashtu si Naim Frashëri poeti kombëtar në veprën e tij « Bagëti e bujqësi » dhe në poezinë « Gjuha jonë », Faik Konica, prozatori jonë kombëtar, shkruante në numrin e parë te revistës ALBANIA « Gjuha e bijëve të shqipes » ku po citojmë një fragment6 : "E ashpër dhe sertë ashtu si populli trim që e flet, plot me shije dhe e bekuar, ashtu si frutat dhe lulet e maleve ku ajo flitet, gjuha shqipe, megjithëse e mbetur e varfër nga mospërpunimi i saj shumë shekullor, është e aftë për të shprehur me nje ndjenje të mbrekullueshme nuancat, konceptimet më të holla të shpirtit njerëzor, vibrimet më të pakapshme të nervozizmit, në krahasim me dialektet serbe, bullgare e greke mundësia e të cilave për të arritur thelbin përfundon shpesh në përafrime trashanike… .
E pra ! Kjo gjuhë që gërsheton një bukuri të brendëshme me një farë dobie shkencore, u mohohet atyre qe e flasin si dhe e drejta për ta përpunuar atë. Po ndodh në një vend të Ballkanit ky fakt, i vetëm në analet e persekutimeve, se njerëzve të cilët njohin veçse nje gjuhë, rrezikojnë burgun në rast se e shkruajnë atë dhe varjen në litar në rast se ua mësojnë atë të tjerëve… .
Kjo tirani absurde është aq më shumë e çuditshme për shqipëtarët, e se çdo njeri mund ta vërtetojë duke hapur rastësisht një libër historie, të cilët kanë shkruar me gjakun e tyre faqet më të lavdishme të historisë së perandorisë turke, të vetëm ata e ngritën këte ndërtesë madhështore, të vetëm janë ata që po e mbajnë në këmbë dhe u përket atyre që ta rrëzojnë përdhe me je goditje shkelmi e ta kthejnë në rrënojë, gjë të cilën të gjithë e dëshirojnë."
Gjithashtu, Faik Konica ishte i pari që i hapi rrugën estetikës në letërsinë shqipe. Ai njësoi letërsinë me studimin. Sabri Hamiti e cilëson Konicën "stilist të shkëlqyer »7 të kohës së tij, i cili me esetë e shkrimet letrare i dha formë stilit të tij kritik duke përmbysur kështu ndikimet në kulturën shqipëtare për të gjetur origjinalitetin ».
Faik Konica ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e përkthimit gjithashtu. Në esenë e tij mbi gjuhët natyrore e artificiale ai paraqet teorinë e tij të njohjes së plotë të një gjuhe e cila përbëhet nga shtatë njohje të pjesëshme8 :
Njohja gramatikore : mënyrat e kombinimit të fjalëve midis tyre.
Njohja leksikore : vlera objektive ose e përhershme e fjalëve.
Njohja letrare : vlera subjektive ose e çastit e fjalëve.
Njohja kritike : vlera subjektive e fjalëve në momente të ndryshme të historisë së një gjuhe
Njohja ritmike : nocioni i lëvizjes së fjalëve të organizuara në grupe.
Njohja etimologjike : kërkimi i përkatësisë së fjalëve.
Njohja substanciale : kërkimi i origjinës së fjalëve.
I ambientuar me pjesën më të madhe të gjuhëve evropiane e aziatike, ky shkrimtar shumëgjuhësh dhe një frëngjishtfolës rrezullues provoi se gjuhët natyrore janë si organizmat e gjalla. Duke u shprehur kundër gjuhëve artificiale (esperanto) ai ka paraparë statutin ndërkombëtar për gjuhën frënge, angleze e gjermane.
Si përfundim, ne mund të ritheksojmë se revista ALBANIA e Faik Konicës ishte e një rëndësie thelbësore për Rilindjen shqipëtare. Ashtu siç e përmbledh Gjovalin Kola « Përmbajtja9 e saj shkon nga çështja kombëtare dhe politike tek problemet e gjuhës shqipe, autonome e te njësuar, të paisur me një alfabet të përcaktuar, duke kaluar tek debatet, esetë, kritika letrare, përkthimet, tekstet poetike, etj ».
Më në fund për ta mbyllur, dëshiroj të kujtoj lutjen e shkrimtarit Faik Konica, lutje e cila është më shumë se kurrë aktuale sot, kur shtypi shqipëtar, qoftë ai i shkruar, radiofonik ose televiziv, është i mbushur në mënyrë të panevojshme me fjalë të huaja, në Shqipëri dhe gjetkë :
"Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të ! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanaësi, por edhe të sillemi ashtu ! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë !"
Luan ABEDINAJ
Bruksel, më 23 mars 2007
1 Bashkimi ishte një shoqëri gjuhësore kombëtare, e themeluar në Shkodër në janar të 1899 nga Prend Doçi, Ndoc Nikaj, Gjergj Fishta, Dode Koleci, Tom Velaj, etj.
2 U mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 në Manastir (Bitola ne Maqedoninë e sotme)). 52 delegatë që përfaqësonin 26 krahina morën pjesë midis të cilëve përfaqësuesit e 3 shoqërive që propozonin një alfabet : shoqëria e Stambollit e përfaqësuar nga Mitat Frasheri, shoqëria "Bashkimi" e përfaqësuar nga Gj. Fishta e L. Gurakuqi dhe shoqëria "Agimi" e përfaqësuar nga Ndre Mjeda.
3 Faïk KONITZA et Guillaume APOLLINAIRE. Une Amitié européenne. Botim i përgatitur dhe i paraqitur nga Luan Starova. Faqa 49.
4 Ibid. Faqa 10
5 Ibid. Faqa 24
6 Albania. Vëllimi i Parë. Faqa 6
7 Sabri HAMITI. Les écoles littéraires albanaises.
8 Ibid. Faqa 191.
9 Gjovalin Kola. Pourquoi la Belgique dans l'histoire albanaise? Page 37.