Faik Konitza

Bibliographie

Liens

Faik Konica - Prozë dhe kritikë

Faik Konica (15 Mars 1875 - 15 Dhjetor 1942)


Doktore Ledri KurtiKonica është personaliteti artist – kritik.  Është  kritik edhe atëherë, kur objekti i tij i drejtëpërdrejtë ishte kritika letrare, por edhe kur ky objekt qe i ndryshëm,  prozë  artistike (art letrar). Për Konicën një prozë e tillë, do të ishte art, kritikë dhe patjetër estetikë, c’ka do të thoshte për të,  ngulmim në domosdoshmërinë injektimit të  një shijeje të re. Kjo shije e re  do të ishte një art i ri, një art që dërrmon,  do  të ishte  individi , që kërkon të renë, në ndjesitë e reja të artit, në mentalitetin e pranimit të artit si të tillë. Nga mendja dhe dora e Konicës dalin veç gjilpëra, që të ngulen në tru sapo nis lexon. Nuk jemi në kritikë, por në prozën e tij art. Por po ashtu, edhe këtu, Konica nuk njeh tërheqje. Konica sic kërkon fitore mbi mentalitetin, kërkon përsosmëri në stilin dhe  artin.
Studiuesi A. Pipa shkruan : “Faiku u shmang nga tradita …u largua nga kuptimi i atyre rrënjëve të forta e të shëndosha qi qenë gjallnija e shqiptarit gjatë shekujve”.[1]
Do të isha krejt në një mendje, por Konica nuk kishte pse gërryente nostalgji brenda të qenit, shqiptar. Individualiteti i tij ishte Konica, si startues i një epoke të re në art dhe kritikë ose më saktë, jo një ndër të tjerë elementë të suazës së Rilindjes Kombëtare.
Konica, I përkiste gjaku të fisëm shqiptar. Barte  krenari tipike të themeltë, pse vishte për kostum të qenies së tij si “i tillë”, kulturën më bashkëkohore, firmë evropiano-perëndimore, si rrallëkush i qenë shqiptar. Autor i frymës moderne i fillimshekullit XX, duke thyer frymën tradicionaliste të Rilindjes Kombëtare.
Konica është një nyjë kundërthëniesh, që burojnë jo vetëm nga karakteri. Shumë merita të personalitetit të tij janë erudit, poliglot, atdhetar, publicist, stilist i rallë, diplomat, evropian i amerikanizuar, aristokrat progresist etj., virtyte që plekseshin në mënyrë të çuditshme me të meta e dobësi: grindavec, snob, inaçor, prepotent i papërmbajtur, elitar, përbuzës i ashpër i vulgut, pragmatist, inkoherent, etj…. Sigurisht të tilla kapërcime nuk janë vetëm koherenca të karakterit individual, por edhe të zhvillimeve kaotike, irracionale, kthesave e përmbysjeve të papritura dhe kundërthënieve të jetës, kombit, atdheut, që e përcollën tërë jetën e tij[2]
Konica qe kritik !   Në kritikë, qe reagim, ironi, sarkazëm gjer në art dhe anasjelltas  në art, qe ironi gjer në sarkazëm, qe reagim kritik socio-psikologjik, analist. Në secilin rast, para tij ndjehesh, si para një vullkani. Jo rastësisht,  kritikë ndaj gjithshkaje, ishte pikërisht Konica për kombin dhe artin shqiptar.
Kritika qe nisma bazë e lindjes dhe lulëzimit të modernizmit, si dukuri sociale dhe fenomen artistik  në rrafshin evropian. Pikërisht Europa, koha  dhe kultura e saj ishin ambienti me të cilat jetoi dhe u përkiste  Konica.
“....Konica është modern ngaqë i dha letërsisë artistike “frymë kritike”. Zaten për këtë frymë pati keqkuptime nga lexues të gjysmës së parë të shekullit XX që ishin nanurisur vetëm ose kryesisht me përralla dhe iluzione të historisë sonë kombëtare të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve…, por ajo që ishte e re, më origjinale, më e mprehtë tek ai qe mosndrojtja për t’i paraqitur e për t’i kritikuar dhe shumë vese, mëkata, kufizime e mangësi intelektuale, politike e social-kulturore, që lidhen me dramën e stërgjatur të historisë së kombit tonë. Në këtë mes Faik Konica ish i Pari që solli frymë kritike në letërsinë shqiptare, duke e afruar me modelet e letërsisë moderne me evropiane të shek. XX”.[3]
Konica  kërkon të plugojë mendjet dhe të injektojë të renë.
Dr. Gjilpëra është i dërguari i fatit dhe i dijes, për të injektuar në gjak të këtij populli, kohën  konkrete. Është qesharake gjer në vaj të vdekjes, që bashkëkombasit e kuptojnë gjuhën e tij, por s’duan as t’ia dëgjojnë kuptimin. Prandaj Konica në realitet dhe në art është dhe bëhet injeksioni i kësaj shoqërie, që çuditërisht nuk jep shenjat e dëshirës për shërim.
Bartësi i një lufte të tillë kundër shoqërisë së korruptuar kundër shoqërisë të prampambetur dhe të korruptuar është mjeku i ri dr. Gjilpëra, i cili është shkolluar në Perëndim dhe i cili ka një kulturë të gjerë evropiane dhe zemër e ideal shqiptari”.[4]
Ndaj këlthet Konica : “Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, mos u bëni besim raporteve që thonë gjëra të mira për ne dhe mbase një ditë dalim të rritur në sytë e botës. Udha që shpie në nder, në liti e në shpëtim nuk është e shtruar me lule po me ferra; ai që arrin në kulm arrin i grisur, i përgjakur, i dërsitur, i lodhur dhe trendafilat, dafinat, ujët e ftohtë, lëndinat ku është mirë dhe ëmbël të shtrihet, të gjitha këto i gjen në kulm vetëm, dhe atje shumë herë as që i gëzon dot se bie i vdekur nga të lodhurit, po me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. Ne, vëllezër, jemi negër të varfër, pa ndonjë rëndësi fare… Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Po mjaft me lëvdime”.[5]
Është ky, mesazhi gjithëpërfshirës i prozës koniciane, i Konicës vetë. Është ky, potenciali i fuqisë së tij prej artisti, për të paralajmëruar të ardhmen e duhur dhe për të treguar drejtimin, në të cilin duhej ecur, për të qenë çfarë duhet, dhe jo prè e vesit, e fodullëkut, e vetëlëvdatës, por qenie ndershmërisht  të arsyeshme, fytyrë e virtytit të kombit, nëpërmjet punës e dijes së urtë.
Ajo që vlen të vihet re është fakti, se ky lloj mesazhi, që i përket të njëjtit realitet, atij shqiptar, është vjelur si një mësim i përvojës së pohuar e të pranuar që nga koha e Platonit dhe  lënë si mësim i jetës nga Hesiodi, ç’ka na bën të mendojmë, për udhën klasike të bazuar në moralin, virtytin dhe dijen, nëpër të cilën eci civilizimi.  Konkretisht, Hesiodi do të na mësonte: “Vesi mund të ushtrohet me shumicë fare lehtë: Rruga që të çon tek ai është e shtruar dhe ai banon afër, por përpara virtytit, perënditë kanë vënë djersë, rruga që të çon atje është një rrugë e gjatë dhe e thepisur.”[6] 
Depërtimi në analizën psikologjike të llojit të racës bëhet si përballje e realitetit të mjerueshëm dhe ironisë, që e shoqëron mosdëshirën për ndryshim, rrjedhimisht, kjo përballje merret, bëhet dhe kuptohet  si kritikë.

  1. “…bashkëkombësit e tij …ishin shëmbëlltyra shumë të varfëra të racës së njeriut…njerëz të mërzitur nga bota dhe vetja e tyre,  ( realiteti i degraduar njerëzor)
  2. që nuk shihnin[7] ( ironia, mosdëshira për  të parë, mosdëshira për të ndryshuar).               

Në gjuhën estetike, mund të themi, se kemi të përftuar, një imitim të racës njerëzore nga Modeli që krijoi (Shkasi i parë), por  fatkeqësisht, vetëm një imitim të mjerë.  Më saktë,  këtë imitim të mjerë Konica e vinte re, tek fytyra dhe truri i bashkëkombasve.
Sërish në gjuhën estetike përcaktimi i llojit të racës, si të tillë,  “… që nuk shihnin”, presupozon simbolikisht dhe ironikisht, që bashkëkombasit as  shqisën e “të parit”, nuk e gëzonin, si shëmbëlltyrë imitative e modelit të racës njerëzore, pse saktësisht, atyre psikologjikisht “nuk u hynte në punë” si  qënie njerëzore. 
Mosdëshira për ta pasur këtë shqisë nuk u lejonte bashkëkombasve të  kërkonin  të ishin të paktën imitim jo i mjerë, por qënie normale që duan të shohin.  Në këtë pikë të psikologjisë sw racws, bashkëkombasit kërkojnë vetëm versionin e gabuar të gjithshkaje. Shëmbëlltyra e mjerë e e tyre krahasuar me racat e tjera njerëzore, i nxit mllef dhe revoltë Konicës, tek i shihte të kënaqur dhe të bindur gjer nw absurditet, për të mos parë veten, për të mos kuptuar ekzistencën e tyre si qenie jashtë kohës. Në “kokat e tyre”, ato nuk pranonin sytë e mendimit brenda saj, si çdo qenie e arsyeshme. Në kokëfortësinë instiktive qëndronin siç kishin zgjedhur të ishin, qenie biologjike pa sy, si përjashtim brenda rregullit të tërësisë njerëzore.
Mjerisht edhe “elita”, me nofkën e ndyrë “kamorra”,  “...s’mund të japë leje të  bëhet ndonjë ndryshim me themel  në Shqipëri[8]
“….Ndryshim me themel!..”  Kjo e drejtë, si kërkesë   dhe koncept i  fillimshekullit  XX si tipar ndryshimi në themel është tipar agresiv, por që pozitivitetin e vet, në raport me cfarë Konica kërkonte për bashkëkombasit e tij e kishte në domosdoshmërinë e menjwhershme, për të kapërcyer paradoksin e kohës shqiptare, paradoksin e qënies “ pa sy”,  paradoksin që mbrunte mentalitetin shqiptar.
Kjo merr mw shumw rwndwsi, kur edhe verdikti përfundimtar i një mendimi “elitë” kamorriste,  që s’lejonte ndryshim, jo më ndryshim me themel ishte kundërshtia aboslute ndaj sw resw nw parim dhe nw koncept. Kjo kundërshti shprehej me një fjalë të vetme prej kwsaj “elite”: “Meazallah!”
Rrënjësore wshtw e reja, që kërkon të futet nga Konica, por po aq absolute, wshtw kundërshtia që has. Ky lloj paradoksi, ka prekur edhe konvencionin e të folurit thjesht shqip. Ironi  është kundërshtia që has  dhe paradokset që  rrjedhin prej saj  vijnë të njëpasnjëshme,.
Dr. Protagoras flet gjysëm greqisht, Dr. Emrullahu flet gjysëm turqisht, vetëm dr. Gjilpëra flet pastër shqip. Sipas studiuesit Sabri Hamiti dhe domethënia e emrave është – Salep dhe Boza është bashkimi i emrave të dy pijeve orientale, Abd-el Katl, që shqip do të dilte diçka si Rob i Gjakpirësit, apo Ibn-el-Kelb, që do të thoshte bir i Fundrinës…”.[9]
Togjet e fonemave të rradhitura në emra flasin si art – kritikë. Paradokset e racws arrijnë gjer  në emra. Evidentimi me art i paradoksit të emrave  bëhet  swrish, si analizë e nivelit psikologjik dhe kulturor të mjerueshëm shqiptar. Konica, arrin t’a funksionalizojë emrin, qw pwrzgjedh,  si domethënie e një realiteti sa të dhimbshëm dhe qesharak, swrish si kritikë.  
Emrat si Salem Boza, Abd-El –Katli, Dr.Habi-bullah, Dr. Emrullahu, Dr. Protagoras Dhalla, Denizullu Serpia, Zullu, Zgjebo etj, janë  përzgjedhur qëllimisht  nga Konica, për të pasur një  efekt të menjëhershëm së pari, estetik, në shijen auditive të lexuesit. Çudia, që transmetojnë këto lloje emrash dhe shëmtia, që i shoqëron  ato që në formë, në tingull,  të nxisin për të ditur diçka përtej. Konica na nxit  në kërkimin e pse – së së fshehur të domethënies dhe mesazhit brenda tyre. Expresiviteti i tyre formal korrespondon i ngjizur me thelbin kuptimor, që ato transmetojnë.
Kjo mënyrë  ironike e bashkëlidhjes së tingujve në emra, si  thellim i paradokseve të mentalitetit, fatkeqësisht realitetit vetë, nëpërmjet artit – kritikë, është një provë tjetër e domosdoshmërisë për ndryshim.
Konica krijon reaksion të menjëhershëm dhe të detyron t’i hapësh vend qëllimit të tij, për të shkatërruar me sarkazmën tipike, atë traditë anadollake të dalë boje, ngulur gjer në emra. Konica ishte shkatërrues i tillë, sepse vuante shijen dhe ushqimin shpirtëror anadollak të bashkëkombasve, truri qeverisës i të cilëve  dhe drejtuesit e fatit  të së ardhmes së bashkëkombasve qëndronin në shinat e së shkuarës. Gjithçka e tyre, ishte mbllaçitje, si proces i ripërtypjes nostalgjike të së shkuarës.
E vërteta është se Faiku, në polemikat e ndezta të veta, shprehte mëninë e vet të thellë sidomos kundra vogëlsirave shpirtërore, që shëmtojnë jetën, kundra mendjes së madhe të injorantëve, ngushtësisë mendore të gjysmakëve, verbnis së fanatikëve, guximit të shpërdoruesvet të patriotizmit.[10]
Bashkëkohësia  dhe modernia për Konicën ishte koha ekzistuese, e re, origjinale, identitet i vetvetes, bashkëjetesë me të renë. Për Konicën, e reja  qe detyrë e domosdoshme, së pari në mentalitet dhe kulturë, për  kombin shqiptar. Kombi duhej të nisej nga fillimi i duhur, që të ekzistonte, duhej të pohonte vetveten, që të pranonte fillimin. Fjala koniciane ishte guxim, guxim qytetar që pohonte pa frikë dhe mëdyshje ndryshimin e kohës. Fjala koniciane ishte guxim për të kërkuar nga bashkëkombësit daljen nga strofulla e kohës së vetvetes, e kënaqësisë “pa sy”, e  shijes së pashije.
Korniza dhe rregullat e lojës, në kohën shqiptare, për të cilën flet Konica, ishin: “Korrupsion kamorrist!”.  Ky realitet, si më i fëlliqti model, ironikisht vetëm ky u gjet i përshtatshëm, i kapërdishëm, perfekt i të qenit shqiptar dhe Shqipëri. Konica zbuloi pa frikë arketipin ose  kryemodelin shqiptar të kohës. Ky model kishte ngelur jashtë kohës së vërtetë  të normalitetit njerëzor dhe asaj çka, që ai do dëshironte për to.
Konica vëzhgoi, evidentoi dhe pohoi si askush më parë. Për të tillë përshtypje të përçudshme, që i falë dheu i vet dhe njerëzit e tij , ai u bë Gjilpëra. Ngulet pa tkurrje gjer në palc, për të na dhënë efektin në tru. Bashkëkohorja e kishte të vetën, të renë  në koncept, nga zero tek njëshi e me radhë… . Kështu dhe Konica, fillimin e kërkon në tru,  në mentalitetin që duhej përmbysur, nga duhet të fillojë hapi i parë.
Evidentimi, që bën studiuesi Sabri Hamiti: “Me dr. Gjilpërën, Faik Konica  fut në prozën shqipe për herë të parë me sukses njeriun shqiptar perëndimor, i cili duke nxënë dijen nuk tjetërsohet kombëtarisht…” [11], si domethënie e Doktor Gjilpërës, vetë Konicës, këtij përfaqësuesi të modernitetit shqiptar.  Konica së bashku me prerjen e dhimbshme, që i bën shqiptarit, në prozën e tij nuk  gërryhej nga  nostalgjia për traditën,  kur ajo dukej larg e mbyllur në guackën e saj të ngurtë, por kombin dhe visaret e trashwgimisw dhe kulturws sw tij mw tw mirw, nuk i  hodhi poshtë. Kujtojmë, në prozën e tij, sesi personazhi i shkolluar në Perëndim, rekomandon diellin dhe mjekësinë popullore, shijen e verës  shqiptare dhe amën e saj të papërsëritshme, si shije që origjina ka kultivuar, thwnw ndryshe, dritwn e dijes dhe shijen e origjinalitetit tw trashwguar.
Fenomevet kokëforta të paradokseve  shqiptare për kohën, nuk kishin të bënin me  nivelin e Konicws, dhe as me shijen e tij për llojin e shprehjes në art. Arti i të shprehurit konician dhe vetë personaliteti i tij, nuk kishte arsye të ishin klasikisht të modelueshëm  nga të tjerët. Konica u bë klasik i llojit të vet me llojin e të shprehurit në art, me guximin e fisëm të fjalës, që kërkon efekt, rezultat të pritshëm imediat, pse  koha kërkonte ndryshim për hir të dinjitetit ë kombit.       
I frymëzuar nga historia dhe jeta shqiptare nga njeriu shqiptar dhe bota e tij, Konica provoi të krijojë një letërsi me koncepte e shije bashkëkohore me vizion të ri të çliruar krejtësisht nga konvencionalizmi dhe rekuizita e vjetër e modeleve të letërsisë orientale”.[12]
Peshku ish qelbur nga koka (“elita”) dhe Konica kokës i bie. Ai kërkon të mos humbë kohë. Zhvesh, për të parë gjithë ç’është lakuriq,  si e vërtetë  e pazbukuruar dhe e pafshehur.
Duke qenë ithtar i së resë, koherent me periudhën në të cilën jetonte, Konica evidentonte  të vërteta. Mendja e “intelektualit” për vëzhguesin Konicë, ishte katror i mbyllur. Mendimi i tij ishte dogmatik, i thatë, pa jetë, si (Dr. Protagoras, Emrullahu), ose i frikshëm në mediokritet, si (Denizullu Serpia, Zgjebua).
është afër mendsh që në Ballkan dhe vecan në Shqipërinë tonë, të mbetur në llom të kohës së Mesme, fuqia e diellit si shëronjës të jetë e panjohur”.[13]
Ja, gjer ku arrin pohimi i tij shkatërrues! Shkatërrues me themel, i gjithçkaje të pathemeltë.      
Një mentalitet paradoksal, që vë re tek bashkëkombasit I jep shkas për ironi të hidhur. Në vend që të pohojë, është larg mendsh…. sic do ishte normale, që një popull të mos njohë efektin e “diellit shëronjës”, në shekullin e XX, Konica pohon aq drejtpërdrejtë sa ndihesh I shokuar, me shprehjen “ është afër mëndsh!” që në Shqipëri, efekti I diellit shëronjës nuk njihet, se për popullin shqiptar mosnjohja e këtij efekti është gjëja më normale që duket. Më  ndihmon  në pohimin edhe mendimi i shprehur nga studiuesi Sabri Hamiti, i cili thotë:
Paradoksi tjetër vazhdon se veprën e shpëton arti i saj. E arti i saj është përgjithësimi. Se dija e injoranca janë në kacafytje kudo për sot e mot, veçanërisht në botën shqiptare”.[14]
Këtu, Shqipëria e Konicws, me qeniet mjerane “pa sy” nuk arrin të shohë me sytë e mendjes, as do të ndjejë të mirat që dielli, si simbolikë, ka me efektin natyror të ngrohjes, dritës dhe dallimit që vendos me natën qw ka i zwnw kohwn e daljes sw tij.
Kështu individualiteti Konicë, shkon më tej në pohimin e tij. Ai merr guximin e vëzhguesit empirik dhe imtësisht arrin të qëndisë tre fakte:

           1. “Shqipëria – mbetur në llom të Kohës së Mesme”-   500 vite prapa, largësi kohore me realitetin e duhur.

           2. “Shqipëria, pjesë e Ballkanit” kështu Ballkani parcelizohet më vete, në kuadrin e përgjithshëm. Pra, jo mentalitet evropian!

           3. “Shqipëria veçan” çka do të thotë sector, brenda sektorit, si fenomen origjinal prapambetjeje edhe brenda Ballkanit.

Ky është rrjedhimi i logjikshëm që vjen nga origjinaliteti i fjalës – art të Konicës.
Dielli, drita, e reja u duhet të depërtojnë në 500 vite larg e u duhet të ngrohin njëherësh 500 vite breza. Shihet si e pamundur e dhimbshme, për të fituar besimin efekteve të diellit, për të kuptuar se jo shumë larg saj, në Evropë, i njëjti diell s’ka kaq llom për të tharë, por vetëm ndriçim të vërtetë e të natyrshëm, brenda hapësirë –kohës aktuale.
Mendja e tij është e  lëruar me dije sistematike bashkëkohore evropiane, prandaj edhe në përzgjedhjen e vijë-jetës së tij, Konica,  nëpërmjet Dr. Gjilpërës  nuk mund të pajtohet kurrë, me ligjet e pashkruara të jetës shqiptare, që janë kthyer në  prè e një tradite mesjetare, traditë tashmë, që duhej kapërcyer me çdo kusht, për hir të efektit të kundërt të funksionit të saj në kohën përkatëse.
Konica është edhe  Plugu. Ai plugon mendjet, konceptet, mediokritetin, për të shpresuar më pas, në farën e hedhur. Konica nuk kërkon rikthim të asgjëje prej tyre,  ai është i bindur se as mund të përpunohet çka sheh dhe dëgjon nga bashkëkombasit. Konica kërkon plugim total të mentalitetit.
Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! E reja, fillon  me “Bëhuni burra!”. Konica gërmon në psikologjinë e tyre, duke nxitur kurajon për të ndryshuar. Guximi për të ndryshuar duket sikur ofrohet si aksiomë e të qënit burrë, e kundërta nënkupton qënie të flashkëta e të paforcë për të  ndryshuar.  “Bëhuni burra!”  i vë në sprovë  të  rrëmbejnë kazmën, duke lënë mënjanë britmat, euforinë, parazitizmin, gjuhën e vjetruar të armëve.
Kështu, e reja aq e dhimbshme, duke shpërfaqur një tjetër paradoks, për shqiptarin qëndron në konceptin “punë”. “ Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla!” shprehet Konica. Palla dhe trimëria atavizma të kapërcyera tashmë në epokën e trurit, shkencës dhe teknikës. Palla e trimëria janë donkishoteske, para projektit të një kohe të re, themelet e së cilës duan veç mendim dhe punë. Në fakt, bashkohësia europiane në të cilën jetoi dhe punoi Konica, projektoi krejtësisht themele të reja për ndërtesën e saj ideale. Për Konicën themelet e reja, fillonin pikërisht me ripërtëritjen e ndjenjës së kombësisë në tru, ndjenjë e cila shoqërohej në kohët ë e reja, me përtëritjen e konceptit të punës, përndryshe siç  do tw thoshte Fishta, do të mbeteshim një ishull i vetmuar në hartën e civilizimit.
Ky është mesazhi i Plugut. Mesazhi i vetë Konicës. Ky është kodi që i duhej kohës. Ky është alfabeti, që duhej mësuar për të mos mbetur jashtë saj. Kazma! Puna! Jo trimëria ! Jo palla! Këto të fundit, i përkasin veç një alfabeti – atavik komunikimi, të vjetëruar në kohë. Turma jepet si simbol i primitivizmit, shkatërrues, i kohës së kapërcyer në histori. Por më e keqja, pwr Konicwn është, se edhe “ Intelektualët”, paraqiten si frenim i trurit, përtej murit të betonit të të cilëve, nuk mund të dilet. Ata, as e njohin kombësinë e pwr kwtw, dhe as mund të mbështetesh në udhërrëfimin e tyre  me dije të mjerueshme, po aq sa turma kishte britma dhe eufori.
Një turmë e tillë nuk mund të kuptojë një lagpamës të iluminizmit dhe të ideales…”[15].   Raca e ngelur në llom të kohës së mesme, mbijeton si kundërshti i kohëve të reja dhe përçudshëm, kërkon të drejtën e ekzistencës së vet, në një kohë, që s’i përket aspak. Këtë të drejtë e kërkon  me kodin e vjetëruar të klithmave, armëve,  duke e kërkuar edhe të ardhmen, si borxh i të tjerëve, si borxh i trurit ndaj instiktit. Puna më e lartë se trimëria e kazma më fisnike se palla, dalë nga goja e Plugut, qenë herezia vetë për bashkombasit(!). Ato u lëshuan  ndaj tij, si ndaj largqoftit. E vërteta për ta është herezi, e drejta është herezi, liria  totale nga skllopi i së kaluarës është herezi, pra Fillimi është herezi. Përfundimisht, për bashkëkombasit, të jetosh me kohën është herezi.    
Bashkëkombasit ishin zhytur kokë e këmbë në kalbësirën e së vjetrës dhe jo vetëm nuk e pranonin të renë, por as njihnin të shëndetshmen origjinalitetit të kombit të vet. Duke gjetur tokë të papluguar dhe tru të palëruar, Konicës i duhej, që me hovin e kohës të plugonte thellë  dhe dhimbshëm, aksiomat e së ardhmes së duhur për kombin dhe bashkëkombasit e vet.
Konica ndërton një kundërthënie midis intelektualit, plugut, krijuesit e prijësit të lëvizjes kombëtare të zulluve dhe turmës së marrë të pushtuar nga gëzimi e krenaria për “Fitoren”, turmës së dalldisur e të kredhur në euforinë irracionale, në shfrimet instiktive festive[16].
“…Dhe përmbi të gjitha , heshtni!”, “ jo fjalët, por kazmën dhe parmenden dhe draprin, dhe shoshën , dhe furrën. Po mjaft me lëvdime!”[17]
Bashkëkombasit për Plugun, për vetë Konicën, ishin të dështuar. Brohorisnin veten, të shkuarën e vet, vajtje – ardhjet rreth vetes, pa ecur aspak më tej, pa ditur përse, pa ditur për çfarë, pa arsye, pa ditur çfarë janë, ku janë e pa dashur ta dëgjojnë këtë, prej askujt.
Ato gjendeshin brenda një drame pa fund, të përçarë gjer në teatralitet të vetvetes si absurd, duke vendosur po në mënyrë absurde, fatin e përgjithshëm të një kombi. Ndaj Konica thërret, madje klith: “ Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut!”[18]
Kjo ishte e vërteta, që i dhëmbi Konicës në sy të kombeve të tjera. Ky ishte referimi ynë në hartën e qytetërimit, i asaj dhe kësaj kohe fatkeqësisht. Tashmë, kjo ishte e vërteta reale brenda së vërtetës artistike.      
Edhe në përzgjedhjen e  vijë-jetës së tij, do të vëmë re, se Dr. Gjilpëra për të ardhmen, nuk vendos të merret me letrat (letërsi-art), duke e arsyetuar atë, si një vijë luksi, si diçka e tepërt ose më saktë të pamundur me auerolën e saj, për pikëqëllimin e tij. As për jetën e përditshme dhe as për nevoja të domosdoshme imediate të bashkëkombësave nuk e shihte të arsyeshme këtë përzgjedhje.
Në fakt, edhe kjo mënyrë përzgjedhje e vijë jetës së Doktor Gjilpërës, simbolikisht, plotëson personalitetin e vetë Konicës dhe shpjegon arsyen e përzgjedhjes së llojit të tij, kritik impresionist të  artit. Indirekt, vetëm kjo mëmnyrë shprehësie në art, i jep shanse Konicës të tentojë në ndërhyrjen kirurgjikale, që i duhet bërë sëmundjes që kish zënë kombin dhe bashkëkombësit e vet.  Konica sikur edhe Doktor Gjilpëra, zgjedh i bindur në funksionin që kryen, profesionin e “mjekut”, shëruesit, megjithëse është i vetdijshëm në dhimbjen e pacientit, por që duhet të shërohet patjetër!
Në thelb zgjedh mjekësinë, për të mos qenë dogmatiku i recetave, që do të thotë indirekt edhe dogmatiku i modeleve të paluajtshme të  traditës në art.  Konica, si Doktor Gjilpëra, është pranuesi i kulturuar i përparimit, i gjithçkaje të mirë, që fal natyra e gjallë, pse jo, mjekësia popullore, që do të thotë, se ilaci shërues duhet kërkuar edhe në vetë origjinalitetin dhe eksperiencën e kombit të vet, në njohjen e psikologjisë  së tij.
Konica  pranon, pohon, jo dogma por hapësirë  dhe alternaltiva, që fillojnë  nga shkollimi në Perëndim  dhe vazhdojnë në orgjinalitetin e rrënjëve dhe intuitën e kombit të vet, në eksperiencën e tij.  A është e nevojshme më të pyesim ku qëndron e reja koniciane, kur populli dhe “elita” gjer në emra ishin sendërtuar në ironi të llojit të vet?
Pikërisht, varësia idioteske në kanunin e dogmave, s’përputhej me fillimin e së resë së një kombi, por çonte në ngurtësimin e mjekësisë, ngurtësimin e sëmundjes, ngurtësimin e mentalitetit, ngurtësimin e artit.
Recetat e mykura, simbolikisht  e realisht  pohonin mospranimin e së resë.  Konica brenda virtytit  të mjeksisë ( artit të tij) si shëruese, përvec ingranimit me më të rejat, që koha zbulon për të, nuk mohon natyrën dhe dhuntitë shëruese të saj, nuk mohon traditën, eksperiencën dhe intuitën e saj, të  trashëguar si  kulturë që duhet ruajtur, si art që duhet përcuar tek brezat.
Në fund të fundit: “Gjithçka në masë” për të mos rënë në kthetrat e rregullave të ngurta e të pajetë, nga duhet të shkëputemi njëherë e mirë.
Ideja e masës ndeshet edhe  shprehjen e shijes e ndjenjës së tij ndaj Ingridës suedeze dhe ndaj Verës misterioze ruse, cka presupozon një shije të tillë të kultivuar mes dy kulturave, dhe vetëm një sintezë e harmonishme dhe ekuilibruar e bukurisë dhe virtytit  të tyre, përbënte për Konicën dilemën e   tij. Por në të njejtën kohë përbën edhe zgjidhjen e kësaj dileme.
Me përballjet e dy personazheve femra, përfaqësuese të modeleve dhe kulturave të ndryshme, Konica kwrkon një harmoni përkimi, për të realizuar idealin e shijes  ndaj së bukurës, dhe të kënaqësisë së tij  të plotër shpirtërore. Ai e kërkon idealin  e tij si ekuilibër, harmoni  mes bukurisë dhe virtytit nga dy kulturat, si një sintezë për një model të ri, që duhet të përkojë  në bashkëjetesën e vet, me origjinalitetin e rrënjëve shqiptare.
Ndërkaq dialogët me personazhet filoturkë dhe filogrekë janë shndërruar në dialogë filozofikë. Gjithçka, në gërmimin dhe idetë Dr. Gjilpërës, ka qëllim.  Qëllim, i cili tenton drejt paditjes së të metave dhe krijimit nga e para, ku të sundojë e drejta, e mira e vërteta, ose më saktë, një fytyrë kombëtare siç meriton të jetë.
Në këto pika teksti: merr trajtën e traktateve filozofike, prandaj edhe kur teksti është i shkruar në trajtën e dialogëve dramatikë, ata i janë më tepër të përgjasuar dhe kanë për qëllim të fundit mësimin, sidomos kur zhvillohen ndrmjet Dr-ve”.
...diskuton relativizmin e Protagorës, për të gjetur udhën e bindjes dhe të së vërtetës, bashkohet me përsëritjet e Platonit për të gjetur këtë udhë: “Mendimet e drejta, mendimet e vërteta; të menduarit gjëra të drejta; dituria e mendimit të drejtë”. [19]
Nga reminishencat, dritëhijet e kujtimeve  me të atin,  të studentit të ardhur nga shkollimi në Perëndim, preket një element mjaft domethënës, sic është  shija.  Ky element lidhet me shijen e verës (pije) së Shqipërisë, shije e papërsëritshme, në vetvete domethënëse për  âmën e vet origjinale, specifike.
Shija si  element teorikisht  i pashpjegueshëm, bartet në  shembullin konkret të shijes së pijes së verës, që dikur pinte me të atin. Ky element  transmeton nëpërmjet këtij shembulli, domosdoshmërinë e theksimit të ruajtjes së asaj, çka është tipike, origjinale, e dallueshme dhe me vlerë. E përkthyer në të vërtetën, që kërkon të arrijë, Konica na lë në dorë çelësin e  kuptimit  të saj.  Një vlerë dhe një shije, që s’duhet  e që s’duhet humbur.         
Edhe nga tërësia vicioze e emrave të zgjedhur qëllimisht nga Konica,  ku përballemi me emra krejt të shqipërueshëm, aspak të huaj për publikun pritës konkludojmë, të marrim një domethënie rreth shijes, por në këtë rast si antivlerë e shijes sw mirw. 
Mesazhi i marrë vjen nga domethënia e trurit të ngjizur me emrin përkatës, çka justifikon domethënien e shijes së përzgjedhur. Niveli i shijes përkthyer në emra, është  një zhgënjim i plotë i shpresës për ndryshim  nga bashkëkombasit e tij.
Konica e vuri re saktë dhe me qëllim i  mëshoi faktit, se vetoja pas së cilës zvarritej  kombi , ishte “Zgjebë” , as më pak e as më shumë.
Ai nxori në sipërfaqe, mospërputhjen e realiteteve. Koncepti i së mirës, si normë etike ishte  edhe si shije, e pakapërdishme edhe logjikisht e  gabuar për kohën, e aq më shumë për fatin e kombit të vet. Kjo duhej ta trembte Konicën , por jo! Ai guxon përsëri të fshikullojë drejtpërdrejtë.    
Konica arrin të pohojë: “ në çdo punë që bëni , në çdo masë që merrni, në çdo lëvizje e në çdo fjalë që ju del nga goja , shoh shenjën e një barbarie të thellë…”
Profecia fatale : “ Më tepër plakem dhe më tepër më hyjnë dyshime nëse do të qytetërohemi ndonjë ditë!”[20]
Konica plugon të vërteta, fakte, arrin në zhgënjime të njëpasnjëshme, pëson kriza  besimi për të ardhmen e kombit të vet “ nëse do të qyterohemi ndonjë ditë!”.
Tregohet i pamëshirshëm gjer në shkatërrim të gjithçkaje ekzistuese mesjetare, arrin  në  parashikimin fatal, që ende sot,  ka fuqi të na frikësojë në këndvështrimin e vet.
Kjo është e reja koniciane. Kjo është sarkazma, gollë përpise e pamëshirshme ndaj gjithçkaje, në emër të domosdoshmërisë.
Konica shkatërron me të vërtetën, ndërsa nëpërmjet artit dhe kartëcipërisht nga të dhënat, që ka si fakte, arrin në ironinë groteske: “ Perënditë ishin vrarë…vetëm në kokë, vend që për një zullu,s’ka ndonjë rëndësi, a sa për vithet e barkun , ato janë pjesët më fisnike të trupit[21].
Ky është rezultati i një plugimi të gjatë, në trurin dhe psikologjinë e këtij populli të verdhë, meit, mbetur e ardhur  në kohët e reja, si atavizëm i Kohës së Mesme. S’ kish si të pritej ndryshe nga letargjia  të bëheshin burra,  burra ku puna të ishte më e vlefshme se palla dhe trimëria!
Është detyra e jonë - theksonte ai -  ta shkëpusim Shqipërinë nga shekujt e sundimit osman dhe ta rikthejmë ku e gjeti pushtimi turk, për të vazhduar rrugën drejt Evropës Perëndimore[22] 
Kështu hyri Konica, me një shkëlqim verbues, tronditës, shokues brenda në një shpellë – labirinth të atdheut të vet. Edhe pse ishte atdheu i vet, ai ua përplasi të vërtetat bashkëkombasve, i tregoi rrugën e drejtë, i hapi udhë lirisë në gjykim dhe në art për hir të së resë, që duhej të lindte patjetër. Atdheut të vet të  pesë shekuj pa dritë,  të pesë shekuj pa ecje, të padritë në tru dhe të padiell  në kohë ai iu dha, me dëshirën e ethshme iluministe të ndriçimit të mendjes dhe shpirtit, por përfundimisht, mbeti një protagonist i dëshpëruar në art dhe i tëhuajtur në atdheun e vet. Koha e paqëruar dhe mentaliteti i nxirë thukët, nuk e kapërdinë frymë-kritikën e tij, qoftë edhe nëpërmjet mënyrës së tij të paditjes së këtij lloj realiteti, me art, nëpërmjet prozës. Nëpërmjet  Konicës  kultura shqiptare foli denjësisht.
"plugu (Konica) protagonist i një tragjedie të fshehtë dhe të errët vajton”.[23]
"Por, jeta ime psherëtijti Plugu( Konica), është një faliment. Dhe doli nga shpella si hije e vetvetes”, “të iki , të iki nga ky kontinent, të iki për jetë , dhe jo nesër , por që sonte, që tani. Të shkund këmbët mirë,që të mos më mbetet as pluhur nga dheu i Afrikës, dhe i sëmundjeve , dhe i vrasjeve, dhe vjershave mirlitone…![24]
Ky do të jetë fati i intelektualit të vërtetë, jo i “elitës”, por  fati i Konicës, që u ndje i tepërt në boshësinë e kombit të vet.
Konica, qe mendimtari, artisti, esteti i parë modern, si i tillë, pati për udhërrëfyes, kritikë ndaj gjithçkaje, rindërtim, përplasje në fytyrë të së vërtetës. Kjo është fytyra e tij, dora e tij, jeta e tij.
Konica gjeti një realitet, ku kufizimet e trurit nuk mund të kapërceheshin vetëm me dëshirën e tij. I  gjendur përballë një çorientimi kohor, që vazhdonte të mbahej në këmbë nga  themelet e orgjive e të korrupsionit, shumëfishon  shijen e përvojës së disfatës, zhgënjimit, pamundësisë për të kryer  kapërcimin,  që ndjente dhe kishte për qëllim. Populli, qe i paracaktuar të dështonte në përzgjedhjen e vet të mbështetur në instikt.
Mund të themi, se ky përfundim i zhgënjimit të  intelektualit, indirekt Konicës, nga bashkëkombasit e vet nuk është aq zhgënjim shopenhaurean, sa një tërheqje e individit, që me keqardhje kupton, se sakrificat nuk ia vlejnë më. Duke pasur parasysh dhe njohjen e filozofisë së Spencerit, nga Konica, mund të themi se Konica, ( Intelektuali) me essin e tij, tashmë ka kuptuar limitin e mundshëm të kryer, si detyrë.
“Because everyone is “to count for one, nobody for more than one” not just as a resource for generating utility but also as deserving to experience a share of it, no one may be sacrificed callously without limit for the good of the rest.
“ çdo njeri llogaritet për një, askush për më shumë se një”  jo vetëm si një burim përdorimi, por edhe si eksperiencë e cilësisë së essit ( unit), askush nuk mund të jetë i  sakrifikuar  pa limit për të  të mirën e të tjerëve.”
Megjithatë, Konica zbuloi shkaqet e lajmëroi pasojat. E reja, moderniteti i tij kritik-shkatërrues qe i domosdoshëm.
Krijuesi i parë i prozës moderne shqipe” dhe “ Mjeshtri më i skalitur i prozës” e quan Fan Noli. Me këtë përcaktim ka parasysh hopin cilësor që solli vepra e tij në rrugën e mundimshme të prozës sonë[25].
Po të kemi parasysh një thënie të Bergsonit, “themeli i të gjithave është shpirti krijues, liria[26],  do mund tw aludoja, kush më shumë se individualiteti i Konicës, përmban në vete, qenien shpirt krijues dhe i lirë. Ndofta kjo edhe për vetë faktin se ai: “... nuk ishte shkrimtar profesionist, ulur mbas tryezet, por një krijues. Estet, Aristokrat deri në art.” [27]
Vullneti i tij për të vërtetën, njëlloj si tek Niçja “është pasion  që përpin gjithçka të shëmtuar[28].
Gjilpërat e mendimit, artit dhe estetikës koniciane ishte individualiteti i tij tipik, origjinaliteti, moderniteti. E reja, që duhej të vinte patjetër, qe kritika dhe kjo erdhi me Konicën. Ai i përkiste kriticizmit impresionist, një version i modernizmit ky, i lindur në fund të shekullit të XlX e në fillim të shek. të XX. “… Mësimet që nxirrnin shkrimtarët shqiptarë prej tij qenë orientuese, kishin të bënin me progresin estetik të letërsisë sonë. Dukuria novatore që bart Konica shprehet në artikujt teorikë dhe kritikë, siç shfaqet dhe në publicistikën dhe eseistikën e tij, por ajo mishërohet qartë në veprën letrare që ai shkroi”.[29]
Nëpërmjet prozës së tij, Konica revolucionarizoi  gjuhën poetike moderne shqipe, duke gdhendur në të, një stil  të ri të shkruari. Në stilin e tij ka vend për evokime dhe njohje përtej tekstit të direktë. Mbase kjo aftësi i vjen Konicës sonë, nga idoli i tij i autencitetit të fjalës, Mallarme, i cili gjithashtu shquhej për inovacionin e stilit të fjalës së përdorur. Në prozën e Konicës ndjehet bashkëveprim midis formës dhe përmbajtjes.
Në shkrimet prozë të Konicës duket se jo gjërat, faktet reale për të cilat shkruan kanë vlerë, por efekti, që ato prodhojnë në vete, e qw transmetonin unin e thellw konician. Mbase kjo specifikë e shkrimit të tij, qe  dhe është i patretshwm për shumë intelektualë të asaj dhe kësaj kohe.
Sic dihet, influenca e Mallarmesë, ka arritur deri tek dadaistët, futuristët, hermetikët italianë dhe tek “poetët vizivë” të pasluftës.
Hermetikët kanë marrë prej Mallarmesw, vlerën e heshtjes si vendbanimi i rezonancës përreth zërit, sikurse hapësirat e bardha përreth fjalës së shkruar. Me këtë lloj sqarimi, më lind aludimi rreth lënies së qëllimtë nga Konica, të llojit të tij të prozës “ Doktor Gjilpëra” si të papërfunduar, mbase si një mënyrë për të krijuar mundësi interpretimi dhe lënë liri mendimi lexuesit të tij, të cdo lloj distance estetike. 
Në Konicën dhe llojin e tij të prozës,  gjejmë si celësa të parapëlqyer të tekstit të tij, ironi, paradoks dhe sarkazëm, aq sa gjuha letrare e përdorur prej tij, i jep tekstit një shije krejt të re dhe tendenca drejt vlerave më shumë estetike.

 

 

Doktore Ledri Kurti

Doktore në Shkencën e Letërsisë

Universitet i Shkoder


[1] Pipa, Arshi, Faik Konica 1876 – 1942, në Fletore për Konicën Revista Jeta e Re, nr. 3, Prishtinë Maj-Qershor, 1995, f. 4/kol.3/2.

[2] Uçi, Alfred, Estetika e Groteskut, Libri IV, Nobël, Tiranë, 2001, f. 9.

[3] Uçi, Alfred, Estetika e Groteskut, Libri IV , Nobël, Tiranë, 2001, f. 13.

[4] Kiseri, Vedat, Simpoziumi Ndërkombëtar..., 21/1, Prishtinë, 2003, f. 330.

[5] Konica, Faik, Prozë Doktor Gjilpëra..., në Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi dhe Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë, 1983, f. 263.

[6] Platoni, Republika, Libri II, Tiranë, 1999, f. 62.

[7] Konica, Faik, Prozë Doktor Gjilpëra...,Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë, 1993, f. 263

[8] Konica, Faik, Prozë Doktor Gjilpëra..,Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë, 1993, f. 263.

[9] Hamiti, Sabri, Vepër letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 243.

[10] Koliqi, Ernest, Faik Konica 1876-1942,  Fletore për Konicën, Prishtinë, Maj-Qershor 1995 f. 3, kol.1.

[11] Hamiti, Sabri, Vepër letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2003,  f. 239.

[12] Jorgaqi, Nasho, Estetika e fjalës shqipe, Onufri, Tiranë, 1996, f. 13.

[13] Konica, Faik, Prozë, Doktor Gjilpëra..., në Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë,     1993, f. 263.

[14] Hamiti, Sabri, Vepër letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 246.

[15] Kiseri, Vedat, Simpozium Ndërkombëtar...., 21/1, Prishtinë, 2003, f. 332.

[16] Uçi, Alfred, Estetika e Groteskut, Libri IV, Nobël, Tiranë, 2001, f. 20.

[17] Konica, Faik, Prozë Katër përralla nga Zullulandi...,Vepra, Përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë,   1993, f. 203.

[18] Konica, Faik, Prozë Katër përralla nga Zullulandi..., Vepra, Përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim  Frashëri, Tiranë,   1993, f. 203

[19] Hamiti, Sabri, Vepra letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 241.

[20] Konica, Faik, Prozë  Katër përralla nga Zullulandi...Vepra, Përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim  Frashëri, Tiranë,   1993, f. 203.

[21] Konica, Faik, Prozë  Katër përralla nga Zullulandi...Vepra, Përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim  Frashëri, Tiranë,   1993.

[22] Frashëri, Kristo, Vendi i Konicës në kulturën shqiptare, Revista Jeta e Re, nr. 3, Prishtinë, Fletore për Konicën, Maj-Qershor 1995, f. 8, kol. 2.

[23] Konica, Faik, Prozë, Katër përralla nga Zullulandi...,Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë, 1993, f. 203.

[24] Konica, Faik, Prozë, Katër përralla nga Zullulandi...Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë, 1993, f. 203

[25] Jorgaqi, Nasho, Estetika e fjalës shqipe, Onufri, Tiranë, 1996, f. 15.

[26] Hersh, Zhan, Habia filozofike, Dituria, Tiranë, 1995, f. 315.

[27] Konica, Faik, Prozë Doktor Gjilpëra..., vëll.2. në Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë,     1993, f. 263.

[28] Konica, Faik, Prozë Doktor Gjilpëra..., vëll.2. në Vepra, përgatitur nga N. Jorgaqi, Xh. Lloshi, Naim Frashëri, Tiranë,     1993.

[29] Jorgaqi, Nasho, Estetika e fjalës shqipe, Onufri, Tiranë, 1996, f. 15.

 



Agenda

L'association en images

big group 2.jpg

Archives