Faik Konitza

Bibliographie

Liens

‘Intelektuali dhe Mallkimi i Vegjetimit’

Ambasada shqiptare aktivitet për letërsinë shqipe, nën ligjërimin e pedagogut të Universitetit të Birminghamit, Dr. Gëzim Alpion.

Leksioni Publik me temë ‘Intelektuali dhe Mallkimi i Vegjetimit – Harresa e Imponuar në Veprën Letrare të Fatmir Terziut’, i njoftuar nge mediat në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë që në tetor, u mbajt pak ditë më parë në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, nga Dr Gëzim Alpion, sociolog i mirënjohur i Universitetit të Birminghamit.
Leksioni u ndoq me interes nga një numër i madh intelektualësh, krijuesish dhe drejtues shoqatash shqiptare me banim në Londër dhe qytete të tjera në Mbretërinë e Bashkuar. Para se të fillonte ligjërata 90 minutëshe e Dr Alpion, të pranshmit u përshëndetën nga Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Londër, Mal Berisha, dhe Lirim Greiçevci, si dhe organizatori i aktivitetit Lutfi Vata, drejtues i Shoqatës ‘Ardhmëria’ dhe i Forumit të Bashkimit të Shoqatave në Londër.
Leksioni i Dr Alpion u vlerësua lart nga të pranishmit për tematikën, perceptimin, analizën dhe sugjerimet e bëra në lidhje me letërsinë dhe kritikën letrare të traditës dhe atë bashkëkohore në përgjithësi, ashtu edhe për vlerësimin e tij objektiv për krijimtarinë e larmishme të Fatmir Terziut në veçanti.
Në diskutimin interesant që u zhvillua pas leksionit të Dr Alpion, përveç ambasadorëve Berisha dhe Greiçevci, e morën fjalën edhe një numër intelektualësh dhe krijuesish si Xhavit Gasa, Xhemail Peci, Lutfi Vata dhe Burim Turjaka.

Letërsia, intelektuali dhe shkrimtari
Në këtë leksion Dr Alpion u përqëndrua kryesisht në tre tema. Në fillim ai u ndal në ‘traditën’ dhe mënyrën se si ky koncept është perceptuar dhe trajtuar në faza të caktuara në letërsinë shqiptare. Shembujt në këtë pjesë të leksionit ishin përzgjedhur nga krijimtaria e klasikëve si Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Andon Z. Çajupi, Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica, Lasgush Poradeci dhe Ismail Kadare. Në këtë pjesë të leksionit Dr Alpion theksoi se tradita është një nga temat kryesore dhe më interesantet në krijimtarinë e shkrimtarit Fatmir Terziu.
Në pjesën e dytë të ligjeratës Dr Alpion u ndal në veçantitë në jetën e disa autorëve të lartpërmendur për të shpjeguar motivet e tyre për përzgjedhjen e ‘traditës’ si leitmotiv thelbësor në krijimtarinë e tyre. Po në këtë pjesë, Dr Alpion pastaj theksoi se Terziu është një ndër autorët bashkëkohorë që e trajton traditën me origjinalitet. Disa herë gjatë leksionit Dr Alpion aplikoi analizën disksursive duke iu referuar veprave të ndryshme të Terziut.
Në pjesën e tretë Dr Alpion u përqëndrua kryesisht në tre romanet e para të Terziut: ‘Grykës’ (2010), ‘Bunari’ (2012) dhe ‘Kojrillat’ (2013). Krijimtaria shumë planëshe e Terziut u trajtua në aspektin biografik, dhe rolin e intelektualit në mërgim në faza të ndryshme të letërsisë shqiptare që nga Rilindja dhe deri në kohën e sotme.
Dr Alpion, i cili ka studiuar letërsinë anglo-amerikane në Universitetin e Kajros nga 1985-93 dhe pastaj në Universitetin e mirënjohur të Durhamit në Angli, ku në vitin 1997 përfundoi doktoratën, theksoi ndër të tjera në leksion se ndërsa po rritet numri i botimeve në lëmin e krijimtarisë artistike, kritika shqiptare është në një gjendje kryesisht amatoreske dhe për pasojë nuk po luan rolin që duhet.
Megjithë angazhimet e tij të shumta akademike, Dr Alpion herë pas here ka botuar shkrime për romanet e disa autorëve bashkëkohorë si Visar Zhiti dhe Thanas Jorgji, të cilat kanë gjetur jehonë të gjerë në media. Në këto shkrime si edhe në leksionin në Londër kushtuar veprës së Terziut, Dr Alpion theksoi se është e rëndësishme të jemi më zemërgjerë kur është puna për të promovuar talentet dhe vlerat e kulturës tonë si në Shqipëri dhe Kosovë ashtu edhe në disaporë.
Profesori i Universitetit të Birmingamit e quajti leksionin e tij një ‘gjest modest për të promovuar vlerat shqiptare në përgjithësi në Londër’ dhe vlerat njerëzore dhe krijuese të Terziut në veçanti. Ai theksoi se shpreson që leksioni publik për Terziun të pasohet nga aktivitete të tilla të ngjashme ku ekspertë të letërsisë të promovojnë veprat e shkrimtarëve, veçanërisht të autorëve të rinj, të cilët shpesh injorohen.
Nuk duhet të gënjejmë veten, tha ndër të tjera Alpion, se po i ndihmojmë dhe vlerësojmë krijuesit duke organizuar promovime të pafund librash; qëllimi kryesor i promovimeve të tilla të bujshme, tha ai, duket sikur është të mbulojmë autorët me lëvdata, shpesh të pamerituara.

Romani ‘Bunari’ si pikë kulmore
Një vend të veçantë në leksion iu kushtua romanit ‘Bunari’ që, sipas studiuesit Alpion, përbën një pikë kulmore dhe një premtim në krijimtarinë e Terziut, si dhe një arritje për letërsinë bashkëkohore shqiptare. Kjo vepër, u argumentua në leksion, dëshmon aftësinë krijuese, kurajon intelektuale, dhe integritetin e autorit për tu ballafaquar me tabu.
‘Bunari’, theksoi Alpion, është një hymn i vonuar për një nga zonat më të shquara dhe tragjikisht më të harruara jo vetëm në Dibër por në të gjithë Shqipërinë, si dhe një vlerësim i merituar i përkushtimit të banorëve të saj fjalëpak ndaj atdheut. Harresa që ka përjetuar dhe po përjeton Dibra, vazhdoi Dr Alpion, është një paralajmërim që të mos lëjojmë as tani as kurrë që pjesë të tjera të truallit kombëtar dhe komunitete bashkëatdhetarësh të kthehen në të ‘huaj’ në atdheun e tyre.
Dr Alpion e cilësoi Terziun si nje intelektual dhe shkrimtar ‘i njerëzishëm’ që nuk ka rreshtur, që kur erdhi në Angli, për të studiuar, për tu specializuar dhe për të përfituar nga eksperienca e pasur britanike si në fushën akademike, letrare, dhe publicistike, ashtu edhe në industrinë e filmit, etj.
Dr Alpion, i cili është cilësuar nga kritika perëndimore si studiuesi më autoritar i Nënë Terezës në gjuhën angleze dhe është vlerësuar për dramat e tij që janë shfaqur me sukses në disa skena britanike, e përfundoi ligjëratën e tij publike duke theksuar se ‘tradita’ dhe ‘harresa’ në veprën e Terziut kanë gjetur një krijues të përkushtuar që shpërfill korrektësinë politike dhe që është gjithmonë në gjurmim të së harruarës, ri-zbulimi i të cilës njëherazi na fajëson kolektivisht dhe tregon se çfarë duhet bërë që të mos përsëriten gabimet.
Po ashtu, Dr Alpion theksoi se shteti, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duhet të bëjë më shumë për të promovuar vlerat intelektuale dhe krijuese në diasporë. Alpion u ndal gjithashtu edhe në kujdesin që shteti duhet të tregojë për personalitetet e shquara të artit dhe kulturës të cilët tani në pleqëri ndihen të braktisur.
Letërsia, tha në fund Dr Alpion, është art që e ka kryer misionin kur të shqetëson, dhe jo argëtim. Ai shtoi se lexuesi, që është i përgaditur të sëkëlldiset nga mesazhet që përcjell letërsia pa kompromise, duhet të lexojë Fatmir Terziun.

Article republié avec la permission de Dr Alpion

-----------------------------------------------------------------

Agenda

L'association en images

eagle 2.jpg

Archives