Faik Konitza

Bibliographie

Liens

Shoqata “Konitza” e Brukselit, në festën e saj të përvitshme

Publié par Gazeta 55

 

05-07-2011 / Nga Eden Babani

Shoqata Kulturore Shqiptaro-Belge “Konitza”, me qendër në Bruksel, u mblodh këto ditë në festën e saj të përvitshme, e cila mbahet çdo fund qershori. Përveç veprimtarëve dhe miqve të saj të shumtë, shqiptarë dhe belgë, pjesëmarrësit në festë i nderuan me praninë e tyre në evenimentin e përvitshëm Ambasadori Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Tepelena, Këshilltarja e Ambasadës e ngarkuar me Punë Konsullore, zonja Suzana Sulollari, si edhe z. Gani Azemi, Ministër-Këshilltar i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës. “Konitza” u themelua në tetor të viti 2008, si një ASBL - Association Sans But Lucratif (Shoqatë jo-fitimprurëse), me qëllim promovimin e kulturës shqiptare në Mbretërinë e Belgjikës.
Më se një shekull përpara, personaliteti ynë i letrave, njëherësh politikan dhe diplomat i spikatur, Faik Konica, emrin e të cilit mban Shoqata, ka jetuar në komunën Saint- Gilles të Brukselit, ku edhe ka punuar për botimin e revistës “Albania” (1896-1910), një ndër më të njohurat dhe më të përhapurat e periudhës së Rilindhjes. Sot, rruga ku ka banuar Konica, mban emrin “rue d’Albanie”. Ajo ka qenë dhe mbetet pikë referimi e përhershme për shqiptarët me banim në Belgjikë. Mjaft të shënoj se në atë shtëpi, në fund të shekullit të kaluar, ka jetuar me familjen e vet dëshmori Enver Hadri, të cilin, më 25 janar 1990, e vranë me atentat shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, si veprimtar i çështjes kosovare.
Sipas presidentit të Shoqatës, z. Genti Metajt, “Konitza” e zhvillon veprimtarinë e vet në tri drejtime kryesore: a) mbron dhe promovon kulturën shqiptare, në bashkëvajtje dhe në mirëkuptim me kulturat e tjera të emigracionit të këtushëm; b) mbron të drejtat e individit, si lirinë e fjalës, luftën kundra racizmit dhe ekstremizmit, barazinë gjinore etj. dhe c) ka vënë në shërbim të personave në nevojë një rrjet ndihme social-administrative (përkthim dokumentesh, orientim të emigrantëve për integrimin e tyre në jetën e shoqërisë belge etj.). “Konitza” është e hapur ndaj gjithkujt në nevojë, pa dallim bindjesh politike. Ajo respekton shumëllojshmërinë e kulturave që gjallojnë në Bruksel.
Që prej themelimit të saj, falë mbështetjes së administratës së Komunës Saint Gilles, veçanërisht të Drejtoreshës për Shërbime Kulturore, zonjës Juliette Roussel, falë edhe veprimtarëve të dalluar të Shoqatës, të huaj e bashkatdhetarë, si: mikja e njohur e shqiptarëve, gazetarja angleze, Kate Holman, José Sanchez, Jean-Marie Luffin, Alisa Aliu, Ajshe Morina, Elhame Gashi, Safet Kryemadhi, Zenel Laci, Milaim Blakaj, Sokol Pashaj etj. veprimtaritë e Shoqatës “Konitza” kanë ardhur duke e zgjeruar gamën e tyre. Le të përmend takimin me Prof. Dr. Luan Starovën, takimin me shkrimtarin Ismail Kadare, bisedën “Përtej Hakmarrjes” me studiuesin Christian Gut, i cili, përveç të tjerave, ka bërë një punë madhështore mbi Kanunin e Lek Dukagjinit etj. Me shumë interes janë pritur prej shqiptarëve me banim në Bruksel, promovime librash, ekspozitash pikture etj.
Festa, e cila kaloi në një atmosferë të gëzueshme, u mbyll me këngë nga të gjitha trevat etnike shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, këngë nga Çamëria etj. Një foto “e familjes” e mbylli festën për sivjet.

 

Agenda

Balkan Trafik festival
25-27 avril
Place de Brouckère, Bruxelles
Progamme ici
-------------

L'association en images

Cakes.jpg

Archives