Faik Konitza

Bibliographie

Liens

“Shqipëria nga një epokë në tjetrën” shpaloset në Bruksel

Eleni Mio

28 Prill 2015    

Prishtinë, 28 prill – Imazhe të njerëzve të veshur me veshje tradicionale shqiptare, por edhe të atyre që janë veshur me rroba moderne të kohës, janë ato që shihen në fotografitë e Kristaq Sotirit.

Ai ka dokumentuar ndryshimin rrënjësor të shoqërisë shqiptare nga epoka e Perandorisë Osmane deri në krijimin e shtetit shqiptar. Në vitin 1912, gjatë kohës kur jetonte në Amerikë, do të realizonte autoportret. Me këtë fotografi edhe nis krijimtaria e tij prej fotografi. Më pas vazhdon me portrete të njerëzve të tjerë. Mes tyre është portreti i nënës së tij, ai i këngëtares Tefta Tashko dhe i disa grave të tjera.

Personazhet e fotografive të tij janë të ndryshme. Ai ka fotografuar një grua myslimane me shami në kokë. Por e ka realizuar edhe portretin e një prostitute. Në fotografitë e tij kanë zënë vend edhe portrete të burrave të ndryshëm. Nisur nga njerëz të thjeshtë, më pas aktorë, valltarë e deri tek ushtarë e gjeneralë të kohës. Sotiri, përveç portreteve, ka dokumentuar edhe një pjesë tjetër të realiteteve të kohës. Ka fotografuar njerëz të shtresave të larta të shoqërisë, por edhe lypsarët në rrugë.

Po ashtu ka fotografuar qytetin e tij të lindjes, Korçën. Rrugët e mbuluara me borë, spitali, malet, barinjtë dhe pazari shihen në fotografitë e Sotirit. Kësisoj krijimtaria e tij përmblidhet brenda një periudhe 40-vjeçare. Fotografia më e vonshme e tij daton në vitin 1952. Ai ka lënë pas vetes një fond me rreth 15 mijë fotografish. Siç shkruan sot “Koha Ditore”, 35 prej tyre do të ekspozohen në ambientin e shoqatës kulturore “Faik Konitza” në Bruksel.

“Shqipëria nga një epokë në tjetrën” është titulli i ekspozitës të cilën do ta hapin hulumtuesi i fotografisë Loïc Chauvin dhe Christian Raby, i cili ka qenë lektor i Historisë së Fotografisë ne Universitetin "Chikago" të Parisit. Kjo ekspozitë do të hapet më datën 2 maj, ndërsa do të qëndrojë e hapur për një javë. Përveç fotografive, Chauvin dhe Raby do të prezantojnë edhe librin me fotografi të Sotirit. Ky libër mban titullin e njëjtë sikurse ekspozita. Chauvin duke qenë hulumtues i fotografisë shqiptare, në vitin 1995 nxori botimin e parë kushtuar dinastisë Marubi me titull "Shqipëria fytyra e Ballkanit". Ndërsa Raby, në vitin 2006 do t’i bashkohej mikut të tij në aventurën e hulumtimit të fotografisë shqiptare.

Kristaq Sotiri konsiderohet si pjesë e padiskutueshme e familjes së fotografëve të mëdhenj shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse vepra e tij nuk mund të krahasohet për nga kohëzgjatja dhe sasia me atë të dinastisë Marubi, me cilësinë teknike dhe temat e trajtuara, Sotiri është dëshmitar i një ndryshimi rrënjësor të shoqërisë shqiptare nga epoka e Perandorisë Osmane deri në krijimin e shtetit modern shqiptar. Vepra e tij thuhet se dëshmon në mënyrë të qartë të qenët "aktor dhe produkt" i kësaj shoqërie.

Prandaj përmes fotografive të tij, publiku në Bruksel për herë të parë do të ketë rastin të njohë më shumë historinë e shqiptarëve, sikurse edhe shndërrimin e shtetit shqiptar.

Genti Metaj, drejtor i shoqatës kulturore “Faik Konitza” – e cila është themeluar në vitin 2008 – ka thënë se kjo ekspozitë ka një rëndësi të madhe.

“Loïc Chauvin ka vite që merret me hulumtimin e fotografisë shqiptare dhe kontaktin e parë me të e kam pasur para pak vitesh kur kërkonin që të ekspozonin në Bruksel fotot e familjes Marubi. Mirëpo në atë kohë po organizohej një tjetër ngjarje këtu dhe ne më shumë u inkuadruam në atë ekspozitë”, ka thënë Metaj, tek ka treguar se si ka rënë në kontakt me dy hulumtuesit.

“Por ata nuk janë ndaluar në hulumtimin e fotografisë shqiptare dhe Loïc Chauvin shpesh shkon në Shqipëri për të parë arkivat e shtetit dhe private që kanë të trashëguar”, ka shtuar ai.

Kristaq Sotiri, i cili u lind më 1883 dhe vdiq në vitin 1970, dallohet për portrete. Në vitin 1923 do të shkonte në ShBA ku punoi si fotograf në New York dhe Los Angeles. Të njëjtin vit 1923 ai u kthye në vendlindjen e tij, në Korçë, dhe me piktorin Vangjush Mio hapi studion “Sotiri”. Ani pse ai ka një fond të madh me fotografi, sipas Metajt, puna e tij pak njihet në përgjithësi.

“Ai ka qenë në Amerikë dhe më pas është kthyer në Korçë dhe ka një numër të konsiderueshëm të fotografive, të cilat mund të jenë të njohura në rrethe të caktuara. Por kam përshtypjen se në përgjithësi nuk njihet shumë puna e tij”, ka thënë Metaj, tek ka treguar për teknikën që ka përdorur Sotiri.

“Sotiri ka një teknikë më ndryshe dhe ajo që sjellë janë dëshmi të ndryshimeve të thella të shoqërisë shqiptare të asaj kohe. Kalon nga epoka e Perandorisë Osmane në epokën e krijimit të një shteti shqiptar modern. Kjo mund të quhet e veçanta e tij”, ka thënë Metaj.

“Për mua ai është dëshmitar i kalimit të shoqërisë shqiptare nga një epokë në tjetrën. Besoj se fotografia dhe puna e tij e meritojnë emrin që i është vendosur librit ‘Shqipëria nga një epokë në tjetrën’”, ka shtuar ai.

© KOHA

Agenda

L'association en images

big group 2.jpg

Archives