Faik Konitza

Bibliographie

Liens

Konica, qyteti përtej kufirit

Vetëm pak kilometra larg kufirit shqiptar, Konica, një qytet me gjashtë mijë banorë mbart shumë histori. Në një rrugëtim në monumente të vjetra, gjejmë edhe gjurmë shqiptare, nga Ali Pashë Tepelena dhe Faik Konica

Nga Dorina Mustafa ArapiDorina Mustafa Arapi

Qyteti i vogël i Konicës ndodhet rreth 17 km larg pikës kufitare shqiptare dhe 64 km larg qytetit të Janinës. Sapo largohesh nga pika kufitare e Shqipërisë, për një kohë të shkurtër has nga larg pamjen e një qyteti, i cili shtrihet buzë maleve, ku dallon shtëpitë e bardha të vendosura njëra pas tjetrës e ku perëndimi i diellit ka praruar peizazhin dhe malet kanë marrë ngjyrë umbra e violë. E ndërtuar në 640 m mbi nivelin e detit, Konica vendoset si një gjerdan i rrethuar me pishat e nga vargmalet e Pindit, me një klimë kontinentale e me një natyre të pasur pyjore. Ka shumë shpjegime për prejardhjen e emrit të qytetit, por ende sot nuk ka të dhëna të sakta rreth saj. Pukëvili, historian dhe konsull në oborrin e Ali Pashës, i cili pati udhëtuar gjithë Epirin gjatë periudhës osmane, flet për Antinania, e cila qe shkatërruar disa herë nga pushtimet e hershme barbare. Sapo hyn në qytetin e Konicës, rrugët marrin tatëpjetën, që shpesh një i huaj has vështirësi e lodhje për t’i përshkruar, por natyra me qiparisat e lartë e fushat që shtrihen përballë Konicës, të çlodhin mendjen e syrin, duke të dhënë qetësi. Atmosfera e ngrohtë dhe intime e qytetit kontraston me shpatin e malit Tymfi, të cilin e shihja çdo mëngjes nga ballkoni im e më jepte përshtypjen sikur njeriu e kishte skalitur e ku heronj gjigandë kishin lindur këtu. Shtëpitë e gurta duken sikur mbartin një histori shekullore, me një natyrë impresionuese, e cila ka gdhendur dhe karakterin e banorëve.

Konica ka një popullsi pothuajse me 6000 banorë dhe së bashku me rrethinat shkon rreth 9000 banorë. Në shekujt e kaluar ky qytet ka njohur një bashkëjetese të besimit kristian ortodoks dhe të atij islam, ndërkohë që në ditët e sotme popullsia është e tëra ortodokse, me praninë e shumë pak familjeve myslimane. Pozita e saj gjeografike ka vendosur fatin e qytetit, i cili ka qenë një udhëkryq për udhëtarët, ku njëra prej degëve të rrugës Egnatia kalonte në lumin Aoos (Vjosa) e të çonte deri në dalje të Detit Adriatik. Kjo ka bërë që Konica të jetë një ndërthurje e kulturës epirote me atë bizantine e osmane dhe me monumente kulturore të epokave e të besimeve të ndryshme.

Historia e Konicës nis me vendbanuesit e hershëm të kësaj zone, të cilët kanë qenë fiset luftarake molose të Epirit. Studimet dhe gjetjet arkeologjike flasin se gjatë periudhës helenistike, mbreti Pirro ndërtoi në zonat përreth, fortifikime, të cilat u quajtën “Kastra pyrrhi”. Me krijimin e despotatit të Epirit, ajo u kthye në një zonë të rëndësishme dhe më pas në periudhën e dominimit osman Konica u bë pjesë e Sanxhakut të Janinës. Me ardhjen në pushtet të Ali Pashë Tepelenës, ajo pati një rritje të madhe ekonomike dhe u bë një zonë e rëndësishme e Epirit.Kulla e zeinel beut

Qyteti është mjaft i pasur me monumente kulturore të ndryshme, ndërtesa të vjetra të arkitekturës epirote, ku dallohen monumente kristiane-ortodokse, si dhe ato që i përkasin familjeve të hershme myslimane. Gjatë qëndrimit tim disa ditor në këtë qytet, pata fatin të shoh shumë prej tyre si: xhaminë e Sulltan Sulejmanit, kishën e Shën Apostujve, shkollën e vjetër Myslimane, urën e vjetër që ngrihet mbi Vjosë e plot të tjera. Falë trashëgimisë kulturore dhe eko-turizmit, Konica mbetet një zonë tërheqëse për turistët, por dhe për studiues të shumtë. Një dëm të konsiderueshëm në dëmtimin e monumenteve dhe të banesave, ka sjellë tërmeti i vitit 1996, ku u dëmtua një pjesë e madhe e tyre,por rreth 70% e tyre janë të rindërtuara.

Një nga veçantitë e këtij qyteti dhe të zonave përreth janë dhe artizanatet e ndryshme, si ajo e punimit të gurit, punimi e gdhendja e drurit, si dhe piktorët e ikonave. Karakteristikë e qytetit janë shtëpitë prej guri të punuar nga vetë punëtorët e qytetit apo të fshatrave përreth. Kjo është një traditë që zgjat prej disa shekujsh. Mastorët ishin mjeshtrit e të gjitha zanateve përgjithësisht, ndër to ishin dhe mjeshtrit e përpunimit të gurit dhe të gdhendjes së tij, të cilët ndërtonin shtëpi e ndërtesa prej guri. Duket se ka qenë një zanat i përhapur në ato zona dhe ndoshta një mundësi fitimi për banorët. Ashtu siç shkruajnë dhe studiuesit, mjeshtrit e gurit “përgjithësisht vinin nga vende malore e të varfra, nga Mastrohoriat( zonat përreth Konicës), nga Xhumerka(afër Artës), nga Maqedonia Perëndimore, nga Kolonja e Shqipërisë dhe nga Peloponezi”, të cilët u morën me punimin e gurit dhe me ndërtimin e banesave. (Natyra dhe aktiviteti njerëzor, Ministria e Arsimit dhe Besimit fetar, Konicë,2005). Duke qenë se zona e Konicës dhe rrethinat përreth janë të pasura me gur, më parë ka qenë traditë që edhe çatitë e shtëpive të ishin të ndërtuara me rrasa guri. Gjë që e sheh dhe sot e kësaj dite në Konicë. Kjo lloj veçantie lidhet dhe me historikun e saj, si edhe me natyrën. Duke qenë një qytet i rrethuar me male, me një klimë ku dimri është i ftohtë, ndërtimi i shtëpive me gur ka qenë një domosdoshmëri për të përballur acaret e ftohta. Nga ana tjetër, banesat ishin më të forta e më të mbrojtura gjatë luftërave. Mjeshtrit e gurit ishin punëtorë, të cilët nuk punuan vetëm në Greqi, por dhe në vende të tjera të Europës e deri në Afrikë. Në vendet ku shkonin, ata ndërtonin me materialet vendase, por gjithmonë duke ruajtur një lloj stili siç ishin shtëpitë në Konicë e fshatrat përreth. Sipas studiuesve, ky zanat filloi të zhvillohej rreth shekullit të XVI. Perandoria Osmane u kishte dhënë atyre një status zyrtar nëpërmjet të cilit i siguronte ecuritë në punime, si dhe ishin të lirë të ushtronin zanatin. “Këta mjeshtër të gurit krijuan një lloj hierarkie dhe një gjuhë të kodifikuar, me të cilën komunikonin ndërmjet tyre dhe ishte e pakuptueshme për punëtoret e thjeshtë.” (Guidë eko-turistike, Konica dhe Mastorohoria,Janine, 2008). Sot, pas emigracioneve të shpeshta të shqiptarëve në ato zona, ky zanat ka filluar të perfeksionohet dhe tek punëtorët shqiptarë që banojnë atje. Një pjesë e mirë e monumenteve ndodhen në pjesën më të lartë të qytetit, ku vihet re se ato gjenden të vendosura afër njëra-tjetrës, sidomos tek objektet e kultit.ali pashe tepelena

Atë ditë vere, duke hipur në Konicën e sipërme e duke kërkuar për kishën, pyeta një kalimtar për vendndodhjen e saj, i cili me shumë dashamirësi më tregoi se ku gjendej, duke më vizatuar një hartë të vogël orientimi, që paraqiste kishën me një kambanare. Përgjithësisht vura re tek qytetarët, se kishin njohuri për objektet e tyre të kultit. Duke e falënderuar, vazhdova rrugën nën vapën e madhe që ato ditë korriku kishte kapluar gjithë qytetin. Pas disa minutash arrita të dalloj kishën e Shën Apostujve. Ajo është një nga kishat më të vjetra dhe më të rëndësishme të qytetit, e cila ishte e vendosur në një pikë të lartë, ku pranë saj ndodheshin dhe varrezat. Data e ndërtimit nuk njihet, por brenda saj gjenden afreske që datojnë në shekullin e XVI. Duke bërë disa hapa më tej, në një hapësirë me një sheshpushim ndodhej xhamia e Sulltan Sulejmanit, ashtu siç e quajnë studiuesit. Për të mendohet se është ndërtuar në vitin 1536, kur sulltani kishte qenë duke kaluar në Konicë. Duke e parë me vëmendje këtë xhami, më erdhi keq për gjendjen jo të mirë të saj, pavarësisht konservimeve që i janë bërë gjatë viteve. Nisur nga përshtypjet e mia, xhamia nuk ishte e përmasave të mëdha. Afër saj ndodhej dhe një tyrbe, e cila ishte e ruajtur nga jashtë, por arrita të vërej se në brendësi nuk ishte në gjendje fort të mirë. Qetësia dhe dielli i fortë i asaj dite krijonin një atmosfere pa kohë. Pranë xhamisë ndodhej dhe një park lojërash për fëmijë, ku ngjyrat kuq e blu të lisharseve e bënin dhe më të çuditshme situatën. Një pjesë e konsiderueshme e xhamisë ishte e rrënuar dhe pjesa e minares kishte rënë. Gjatë viteve janë bërë ndërhyrje në konservim, ku janë restauruar cepat e mureve të xhamisë, si dhe pjesa e harkut të dritareve. Jo më larg se 10 hapa në këmbë, gjendej shkolla e vjetër myslimane, e rrethuar me pemë, të cilat bënin një hije të këndshme e çlodhëse në oborrin e saj. Kjo shkollë është ndërtuar rreth shekullit të 19-të, ku thuhet se studionin të rinjtë për të marrë dije fetare. Ndoshta kjo e lidh dhe me faktin se gjendej shumë pranë xhamisë së Sulltan Sulejmanit. Ajo sot e kësaj ditë mban të ekspozuara fotografi me site të ndryshme të trashëgimisë kulturore të Konicës.

pamje e shtepise se hamkosNë atë ditë korriku, ndonëse e lodhur nga vapa, zbrita poshtë tek lumi, të shikoja Vjosën dhe urën e vjetër të qytetit. Ura e vjetër mbetet një nga monumentet më tërheqëse për vendasit dhe për turistët, ku të rinjtë vijnë shpesh të kalojnë ditët pranë lumit e turistët që sodisin natyrën dhe bukurinë e urës së gurtë. Duke filluar në Epir e duke kaluar Konicën, Vjosa hyn në tokën shqiptare derisa derdhet në Detin Adriatik. Në përshtypjen e parë, ura dukej e lartë dhe me një hark të lartë. Sipas historive që tregonin vendasit, kjo ka qenë fillimisht e ndërtuar me dru dhe pas prishjes, ishte ndërtuar prej guri. Ajo filloi të ndërtohej në vitin 1870 dhe mbaroi në vitin 1871. Ndërtimi i saj u financua nga një bankier i asaj kohe, nga banorët e Konicës dhe nga familjet e pasura të qytetit, të krishtera dhe myslimane, ku një ndër ta ishte dhe Muhamet Bej Sisko, gjyshi i Faik Konicës. (Konica dhe fshatrat përreth, Sotiri P.Tufi, Konicë, 1994). Në librin e tij “Faik Konica, Jeta në Uashington” autori Ilir Konomi, flet për mbiemrin e gjyshit të Faik Konicës, që e thërrisnin Muhamet Bej Shishko dhe ky ishte mbiemri me të cilin njihej familja e Konicës në qytet.

Marre nga Gazeta Shqip, 3 shtator 2012

Agenda

Balkan Trafik festival
25-27 avril
Place de Brouckère, Bruxelles
Progamme ici
-------------

L'association en images

eagle 1.jpg

Archives