Nga Safet Kryemadhi
Një revistë e re ngjall za konisht kureshtje, xhelozi, mospërfillje të shqetësuar, – kjo ndodh, – ose inkurajime të sinqerta e bujare nga mjediset kulturore të vendit pritës.
Kur kjo ndërmarrje arrihet në ekzil dhe themeluesi i saj ndiqet nga një fuqi e huaj e urryer, atëherë njerëzit e shërbimeve të ndryshme sekrete janë, sipas radhës, publiku i parë, sa i matur aq dhe i papërshtatshëm, krahas numrit modest të lexuesve të abonuar, të shpërndarë nëpër shumë vende. Kështu ndodhi edhe me revistën “Albania” të themeluar më 1897-n në Bruksel nga Faik Konica. Ky botim, që përfshinte artikuj letrarë e politikë, do të tërhiqte shumë shpejt vëmendjen e shërbimit sekret belg. Në një notë konfidenciale drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Drejtësisë, të datës 10 prill 1897, (vetëm 15 ditë pas publikimit të numrit të parë të Albania- s), Drejtoria Politike e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës jepte këtë sinjalizim: “Në Bruksel botohet një revistë dygjuhëshe, shqip – frëngjisht, me titullin Albania, zyrat e së cilës gjenden në rrugën St Bernard nr.87. Në të shkruhet se drejtori i saj është z. Frank Spiro Beg dhe sekretar z. Viska Babatasi. Mundet që këta emra të jenë pseudonime.
Jam i detyruar t’ju kërkoj informacione për këtë botim, i cili ka mundësi të ketë qëllime politike, për personalitetin e redaktorëve të saj, si dhe, nëse kjo është e mundur, për burimet financiare të kësaj ndërmarrjeje”. Në variantin fillestar, kjo kërkesë ishte formuluar me fjalë të tjera, ku kërkohej informacion (“për vendin se nga vijnë donatorët”), por ishte korrigjuar.
Duket se kërkesa për një hetim të tillë ishte bërë nga ambasadori i Austro- Hungarisë në Bruksel, konti Von Khevenhüller. Vetëm pas dhjetë ditësh, më 20 prill, Drejtoria e Përgjithshme e Drejtësisë i përgjigjet kësaj kërkese me këto të dhëna: “Revista Albania është themeluar nga zoti Faik (emri) Schischo’go Konitza (duke marrë pseudonimin Frank Spirobeg), i lindur në Konicë, Janinë (Turqi, Europë) më 29 mars 1874, banues në rrugën St Bernard 87 në St-Gilles, Bruksel. Me zotin Schischo’go bashkëpunon edhe miku i tij, Viska Besarion Babatasi, aktualisht banues në Bukuresht, i cili prezantohet si sekretar i redaksisë me emrin Viska Babatasi. Schischo’go ka ardhur në Belgjikë në muajin shtator nga Parisi, ku nuk ka asnjë të dhënë të ketë kryer veprime negative. Ai ka kryer studimet në Francë dhe është diplomuar në Fakultetin e Letërsisë në Grenobël. Ai pretendon se revista e tij, që mbështet pavarësinë e Shqipërisë, nuk ka aspak tendenca revolucionare. Para së gjithash, ai do të donte t’ia arrinte qëllimit, që me anë të bashkëkombësve që punojnë në qeverinë otomane, të njihej gjuha shqipe, tani e ndaluar në vendin e tij. Në kohën tonë, ai merr nën mbrojtje shqiptarët, të cilët kanë të drejtë të mësojnë gjuhën e tyre. Ai do të donte që pikërisht ky ndalim i gjuhës të shfuqizohej sa më parë. Siç e provon numri i parë i revistës, armiqësia e tij nuk është më e vogël ndaj grekëve se ndaj otomanëve.
Zoti Schischo’go pretendon se nuk përfaqëson asnjë nga grupet ekzistuese që bëjnë propagandë jashtë dhe që nuk merr ndihma financiare prej tyre. Shkurt, ai ka lidhje me bashkatdhetarët e tij në vende të ndryshme të Europës (thuhet se ka korrespondencë me z. Gladstone), por revistën e ka krijuar me të hollat e tija. Prindërit i ka të pasur dhe i plotësojnë nevojat e tij. Përveç kësaj, revista e tij numëron tashmë 200 lexues të abonuar”. Dihet se pseudonimi Frank Spirobeg, që e përdori Konica, ishte emri i heroit shqiptar të romanit Hasan Jeniçeri (Hassan le Janissaire) të shkrimtarit orientalist francez Leon Cahun, dajë i Marcel Schwobb-it. Përsa i përket emrit Faik Schischo’go, ky duket si referencë e emrit të gjyshit të tij. Kurse miku i tij, Viska Besarion Babatasi, kishte lindur në vitin 1872 në Korçë. Ai do të hapte shkollën e parë shqipe në Cakran të Fierit më 1909-n. Kujtojmë se midis tij dhe Konicës pati një grindje kur Babatasi përkrahu aventurierin spanjoll, Aladro Kastrioti, i vetëshpallur pretendent për fronin mbretëror të Shqipërisë. Dihet se në shkrimet e tij, Faik Konica e pati tallur sjelljen mashtruese të këtij të fundit. Një dokument tjetër i datës 13 gusht 1901 tregon arsyen e nisjes së Faik Konicës drejt Londrës, një vit më vonë, më 1902-shin. Bëhet fjalë për një notë dërguar ministrit të Drejtësisë, Victor Begerem, nga Ministria e Punëve të Jashtme, në të cilën thuhet: “Legata e Turqisë në Bruxelles na ka vënë në dijeni se i quajturi Faik, drejtor dhe redaktor i gazetës revolucionare Albania, që botohet në Bruksel, është dënuar me vdekje, në mungesë, nga Gjykata Penale e Kostandinopojës. Ky informacion mund të jetë, pa dyshim, i dobishëm për administratën e Sigurimit Publik”.
Siç merret me mend, fraza e fundit, me vrazhdësinë e rezervuar të stilit burokratik, përmban një kërcënim të qartë për vazhdimësinë e azilit që Belgjika i kishte dhënë Konicës. Me gjithë neutralitetin e deklaruar, Mbretëria belge nuk kishte kurrfarë interesi që për çështje të tilla, të humbiste partnerin ekonomik premtues, siç ishte në atë kohë Perandoria Otomane, e angazhuar në një modernizim të pashpresë. Ishte pikërisht një kompani belge që kishte ndërtuar në Stamboll tramvajin e parë elektrik. Një tjetër kishte monopolin e ndriçimit në kryeqytetin perandorak.
Ishte gjithashtu bankieri belg, Georges Nagelmackers, i cili kishte financuar vënien në funksionim të trenit të famshëm Orient-Ekspres, që më 1883-shin, i destinuar për turizëm luksi midis Parisit e Kostandinopojës, pastaj kishte ndërtuar hotelin mitik “Pera Palace” në Beyoglu. Zgjimi kombëtar shqiptar, të cilit revista e Konicës i kishte dhënë një mbështetje të shkëlqyer intelektuale, njëherazi me një kuptim të mprehtë të konfiguracionit gjeopolitik të Ballkanit, kishin qenë aksionet më të rëndësishme për Konicën. Ai nuk kishte menduar dhe aq për gjendjen dhe sigurinë e tij në Belgjikë. ”I neveritur nga Brukseli, Faik beg Konica iku në Londër”, e mbyll portretin për të miku i tij, Apollinaire-i, më 1912-n. “Ai braktisi shtypshkronjën e tij të bukur të bërë me shkronja prej platini, ku kishte shkruar e botuar edhe ai vetë disa libra të vegjël shumë të rrallë”. Largimi i këtij të dënuari mospërfillës nuk do të thoshte, megjithatë, se u mbyll nga policia belge edhe dosja “Albania”. Në një notë të saj, të datës 28 maj 1906, duke iu referuar përsëri shkresës së 20 prillit 1897, Ministria e Punëve të Jashtme bënte të ditur se ambasadori në detyrë i Austro-Hungarisë, konti Clary-Aldringen, ashtu si edhe paraardhësi i tij, donte të dinte për “kushtet e prodhimit të kësaj reviste dhe, nëse është e mundur, edhe për emrat e atyre që merren me botimin e saj në Bruksel”. Shkresa saktëson edhe njëherë se kjo ministri donte “ta plotësonte sa më shpejt që të ishte e mundur këtë kërkesë”, çka e bënte të detyrueshme aleanca dynastike midis Habsbourg-ëve dhe Cobourg-ëve (belgj.). Përveç kësaj, komenti ministerial theksonte se diplomati nuk ka dashur ta bëjë kërkesën e tij me shkrim, por e ka shprehur atë gojarisht. Në fakt, kjo kërkesë e misionit diplomatik austro-hungarez në Bruksel për Albania-n ishte e çuditshme.
Sepse dihej se Faik Konica kishte kërkuar ndihmë dhe ishte mbështetur materialisht nga Vjena për botimin e revistës “Albania”. Prioriteti i kohës ishte të pengoheshin synimet serbe e greke në trojet shqiptare, objektiv që ishte i ngjashëm me atë të monarkisë së dyfishtë. Përgjigjja e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit Publik arrin më 5 qershor 1906, në të cilën jepet ky informacion: “Revista Albania vazhdon të botohet në shtypshkronjën Vromant, rruga nr. 3 de la Chapelle, në Bruksel, por ajo nuk shitet më në këtë qytet. Të gjithë ekzemplarët e botuar i dërgohen Faïk Schischo’go Konitza në Londër, në adresën 61 Lady Marguarita Road, i cili e drejton që nga fillimi këtë revistë me emrin Frank Spiro beg dhe, prej andej, ai ua dërgon abonentëve të ndryshëm. Revista përgatitet plotësisht jashtë shtetit, kurse i zoti i shtypshkronjës Vromant merret vetëm me prodhimin e saj në Bruksel. I quajturi Viska Babatasi, sekretari i redaksisë së Albania-s, i cili banonte në Bruksel, rruga nr.3 Six aunes, është larguar nga ky qytet që nga muaji prill i vitit 1900 dhe është vendosur në Zvicër”. Sezoni i frytshëm belg, në jetën e gjatë prej emigranti të Konicës, bën krushqi me një vendbanim të survejuar.
Première publication: Panorama, Gusht 2012